Lajme

“Daily Mail” shkruan për sulmin ndaj të moshuarës


Gazeta britanike “Daily Mail”, ka shkruar për sulmin ndaj të moshuarës që ka ndodhur në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë e ku pamjet u publikuan të mërkurën e 3 nëntorit, ndërsa rasti kishte ndodhur para gjashtë ditësh.

“Ky është momenti tronditës kur një e moshuar në një shtëpi të kujdesit në Kosovë është goditur vazhdimisht me shuplakë nga një infermiere”.

“Në video shihen edhe dy gra të tjera dhe një tjetër po e filmon, e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegeje e saj sulmon gruan e moshuar”, i ka përshkruar gazeta prestigjioze pamjet.

E moshuar dhe e vetme në ambientet e zymta të “Shtëpisë për të Moshuar” në qytetin e Pejës, në vend së të merrte pak ngrohtësi e kujdes, një qytetare e Kosovës u rrah me shuplaka nga Aurona Pelaj, infermiere.

Ajo pos faktit se ishte në moshë të shtyrë, vuante edhe nga sëmundja e Alzheimer-it, gjë që i jep karakter më monstruoz rastit.

Dhunë e kërcënime në vend empatie, duket se është ushtruar edhe përpara në këtë institucion, që për “përkujdesje” ndaj pleqve merr hiq më pak se 650 euro në muaj.

Në videon e publikuar infermierja e licencuar s’pushon së godituri, derisa e moshuara kërkon të ikën.

“Pak jam t’u ia hi, qysh di me sill unë, pak jam t’u ia hi”, inkurajohet dhunuesja tashmë e arrestuar nga policia e Kosovës për sulm fizik (pos saj, është arrestuar edhe një person tjetër – motra kujdestare në këtë institucion).

Derisa ajo godiste e disa vajza të tjera i buzëqeshin aktit monstruoz, njëra prej tyre thoshte nën gaz se po e xhirojnë rastin “për media”.

Prokuroria e Pejës ka konfirmuar për Albanian Post se ka nisur hetimet lidhur me rastin.

“Me të marrë informacionin dhe me të parë videon prokuroria në Pejë ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitë relevante, dhe janë duke shkuar në vendin ku po dyshohet se është kryer vepra penale”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Ndryshe, familja e viktimës gjatë ditës e kanë tërhequr atë nga shtëpia ku u keqtrajtua.

Lidhur me rastin janë arrestuar deri tani 3 infermiere.

Sipas ligjit në Kosovë, sulmuesja e të moshuarës në Pejë mund të dënohet me veç 6 muaj burgim, ose me gjobë

Sipas ligjit aktual në Kosovë, përkundër dhunës dhe rrethanave ku është ushtruar ajo dhunë dhe ndaj kujt, ligji maksimalisht parasheh dënim deri në tri vjet – në rastin më të rëndë.

Anton Nrecaj – Këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, ka treguar për Albanian Post klasifikimin e veprës dhe dënimin e paraparë me ligj.

“Fillimisht kualifikimi i veprës penale është i mangët, përpos veprës penale të sulmit është edhe vepra penale tjetër; abuzimi dhe keqtrajtimi i të moshuarve. Dënimi për secilën vepër penale është nga ajo shqiptimi i gjobës deri ai me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet burgim”, pohon Nrecaj.

Por, tashmë vepra është kualifikuar dhe sipas prokurorisë, në këtë situatë të dhunimit të moshuarës “kemi të bëjmë me sulm”.

Veprën për Albanian Post e ka konfirmuar edhe Prokuroria në Pejë.

Arbër Jashari, njohës i fushës së Drejtësisë, deklaron se “për këto veprime, ligji ka paraparë dënim me burgim prej 6 muaj deri ne 3 vjet”.

Por, në vepër nuk duhet të jetë vetëm sulmuesja, sqaron Ndrecaj.

“Po te njëjtën dënim duhet t’u shqiptohet edhe personave tjerë përfshirë edhe personin i cili ka xhiruar gjithë ngjarjen duke cenuar dinjitet e viktimës”, deklaron ai.

Dhunë e kërcënime në vend të empatisë, rasti monstruoz që tronditi Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore