Lajme

Arrestohet vajza që dhunoi të moshuarën në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë


Dhuna ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda” .

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka njoftuar për Albanian Post, se është arrestuar vajza që ka dhunuar të moshuarën në shtëpinë e pëlqeve “Orenda” në këtë qytet.

Pos saj, është arrestuar edhe një person tjetër – motra kujdestare në këtë shtëpi.

“Po mund të ju konfirmoj se i kemi sjellur në stacionin policor këtu në Pejë. Përveç vajzës që ka ushtruar dhunë është arrestuar edhe motra kujdestare që ka qenë në shtëpinë e Pleqve”, ka thënë Gashi.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, deklaroi për Albanian Post, se rasti veçse është procedura nga policia në Pejë.

Edhe Prokuroria e Pejës ka konfirmuar për Albanian Post se ka nisur hetimet lidhur me rastin.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Me të marrë informacionin dhe me të parë videon prokuroria në Pejë ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitë relevante, dhe janë duke shkuar në vendin ku po dyshohet se është kryer vepra penale”, tha ai për AP.

Gjithashtu, prokuroria përmes komunikatës për media ka bërë të ditur se dy personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë.

“Dy prokurorët e shteti dhe Policia e Kosovës në vendin ku dyshohet së është kryer vepra penale, kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Sulmi’ dhe veprën penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në një shtëpi të pleqve në Pejë, është ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuare nga një anëtarë e stafit gjatë ditës së mërkurë.

“Kuku”, bërtet një e moshuar e cila është zënë peng nga një vajzë – që nga veshja duket se është punonjëse e institucionit për të moshuar.

Por britmat janë krejtësisht të kota sepse e reja pamëshirshëm vazhdon ta godas. “Çka po sillka more”, thotë një tjetër vajzë që xhironte dhunën që po ushtrohej brutalisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore