Lajme

ASK-ja: Komuniteti serb në jug po regjistrohet – për hezitimin e qytetarëve në Veri kemi zhvilluar takim me institucione ndërkombëtare


Foto nga arkivi.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, në informimin javor për procesin e regjistrimit të popullsisë ka bërë të ditur se në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të ketë hezitim nga komuniteti serb, por jo edhe në jug.

Ai ka theksuar se një pjesë që jetojnë në Veri e që i përkasin komuniteteve të tjera, janë regjistruar por jo edhe serbët.

“Në pjesën veriore, janë regjistruar pjesa dërmuese ndërsa komuniteti serb akoma heziton në mënyrë masive. Ka një regjistrim të disa ekonomive familjare dhe individëve, por është numër i vogël”.

Duke shtuar se “në jug, komuniteti serb është duke u regjistruar”.

Kastrati, potencoi se lidhur me këto probleme kanë zhvilluar takime edhe me disa institucione ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur një diskutim javën e kaluar me disa institucione ndërkombëtare dhe ndoshta ata do të ua transmetojnë komunitetit serb në Veri, sepse ata duhet ta dinë që është edhe për të mirën e tyre. Komuniteti serb duhet ta dijë që procesi s’është aspak politik”.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati

Ndërkaq, pritshmëritë e ASK-së janë që rezultatet të publikohen akoma më herët sesa periudha e caktuar.

“Shpresojmë që më 17 maj të përfundoj regjistrimi. Në bazë të diskutimeve që i kemi pasur të brendshme ka mundësi që datat preliminare të publikohen më herët sesa që është planifikuar jo tre muaj siç është me ligjin në fuqi.

“Besoj që ndoshta në pjesën të muajit qershor do t’i publikojmë të dhënat paraprake siç janë edhe me ligj”, ka thënë Kastrati.

Ai theksoi se, “të dhënat do të jenë befasuese, veçanërisht të struktura e popullsisë ndoshta edhe tek mosha mesatare”.

Në anën tjetër potencoi se të martën pritet të kalojë regjistrimi shifrën prej 1 milionë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore