Lajme

CNBC: Jack Dorsey do të japë dorëheqjen si CEO i Twitter-it


Televizioni amerikan CNBC raportoi të hënën e 29 nëntorit se Jack Dorsey, shefi ekzekutiv i Twitter-it, do të japë dorëheqjen.

Aksionet e Twitter u rritën me 11 për qind pas raportimeve të pakonfirmuara në rrugë zyrtare.

CNBC tha se Dorsey pritej të jepte dorëheqjen “në një periudhë të afërt kohore”.

Burimet e saj citonin “një numër njerëzish të ndryshëm të njohur me situatën”.

David Faber, gazetari i CNBC-së që raportoi i pari lajmin, tha se ai “nuk dinte më tepër” dhe se ishte e paqartë se kush do ta drejtonte kompaninë.

Dorsey është shefi ekzekutiv i Twitter, por edhe i Square, kompani pagesash në internet.

Ai është përballur në të kaluarën me thirrje për t’u përqendruar vetëm në njërën prej kompanive që drejton.

Dorsey është përballur gjithashtu me kritika nga aksionerët aktivistë, veçanërisht nga fondi mbrojtës “Elliott Management” dhe themeluesi i tij – miliarderi Paul Singer.

45-vjeçari ishte bashkëthemelues i Twitter-it dhe shërbeu si shefi i parë ekzekutiv i saj.

Ai u largua nga ky psot në vitin 2008, por iu rikthye në vitin 2015 dhe që atëherë ka shërbyer si drejtues i kompanisë.

Ato vite kanë rezultuar të diskutueshme për Twitter.

Në veçanti, Dorsey është kritikuar për rregullat e moderimit në platformën e tij – referuar ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore