Kosova

Çitaku për deklaratat e Gërvallës: Mjerim dhe keqardhje


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka komentuar intervistën e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz pas deklaratës së saj rreth rezolutës së iniciativës së Shqipërisë për miratimin e një rezolute të re në Këshillin e Evropës lidhur me pretendimet e ngritura nga Dick Marty.

Çitaku këtë deklaratë e ka konsideruar si “mjerim dhe keqardhje”.

“Në një intervistë për Zërin e Amerikës, e pyetur lidhur me iniciativën e Shqipërisë për miratimin e një rezolute të re në Këshillin e Evropës lidhur me pretendimet e ngritura nga Dick Marty, MInistrja Gërvalla paska deklaruar “ : Jo, një bashkërendim nuk ka pasur lidhur me këtë çështje, por ju duhet të më kuptoni që unë nuk komentoj veprimet e qeverisë shqiptare”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Kosova nuk është duke qëndruar përkrah Shqipërisë, por as nuk po tregohet falënderuese.

“Pra, Kosova jo që nuk po e ndihmon Shqipërinë, po as nuk po e falenderon Tiranën zyrtare që e ka marrë përsipër dekonstruktimin dhe demantimin me fakte të raportit famëkeq të Senatorit Marty”.

“Dhe më pas vijon me deklarata e cilësime për Qeverinë e Shqipërisë, për dhjetëra gjëra rreth së cilave Ministrja Gervalla nuk pajtohet me Kryeministrin Rama”, ka thënë ajo në ‘Facebook’.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, e ka përshkruar qartë situatën në të cilin Kosova dhe Shqipëria gjenden, sa i përket rezolutës shqiptare kundër raportit të Dick Marty-t, i cili është bërë shkak për gjykimin e pajustifikuar të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë: Bashkëpunim inekzistent.

Qartësisht, Gërvalla ka thënë se nuk ka asnjë bashkërendim pune sa i përket rezolutës së miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë.

Madje, pavarësisht rolin si kryediplomate e Kosovës, ajo ka thënë më tej se nuk i komenton vendimet që shteti shqiptar merr.

Por një gjë, çuditërisht, Gërvalla e komenton: Kryeministrin Edi Rama, forca politike e të cilit, ka qenë iniciatore e rezolutës dhe ai vetë, tepër i zëshëm në Kombet e Bashkuara për mbrojtjen e Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së, lufta e të cilëve i solli lirinë popullit shqiptar në trojet kosovare, bashkë me punën e aleatëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore