Lajme

Çitaku: Nga Qeveria ka mbrojtje të Berishajt, ngecje në diplomaci, mohim të fjalës për UÇK-në dhe elozhe për Ivanoviçin


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media ka folur për tri skandale të mëdha të Qeverisë Kurti gjatë ditëve të fundit.

Ajo sërish ka folur rreth skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, e që sipas saj kryeministri, Albin Kurti, po vazhdon ta mbrojë pakusht atë.

“Çka ka dhe çka s’ka ditëve të fundit dhe jo vetëm nga Qeveria Kurti? Ka mbrojtje të pakusht për Martin Berishajn, nuk ka sjellje të tij para drejtësisë. Ka mohim të fjalës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe elozhe për Oliver Ivanoviqin”.

“Ka çnjohje dhe ngecje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, s’ka procedim të aplikacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka një Albin Kurti në opozitë, dhe një Albin Kurti tjetër në Qeveri”, deklaroi ajo.

Thirrje e saj, sërish ishte që Berishaj të shkarkohet, por që nuk e konsideron si të mjaftueshëm vetëm shkarkimin.

“Tek afera Martin Berishaj, shkarkimi nuk mjafton. Të dhënat e publikuara nga mediumet e ndryshme ndërkombëtare duhet të jenë alarm për institucionet e Republikës së Kosovës. Për më tepër, sot, më shumë se kurrë, Kryemininisti duhet t’u japë përgjigje një vargu të pyetjeve të cilat i kemi parashtruar tash e një vit”.

“Si i është dhënë shtetësia Martin Berishajt brenda natës? Si e ka marrë certifikatën e sigurisë nga AKI? A janë përdorur 1 milion e 470 mijë euro për të financuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo”.

Ajo ka folur edhe për diplomacinë të cilën e konsideron si “dështim” pasi që përvec njohjeve që nuk janë arritur, s’është punuar as për mbajtjen e raporteve me vendet që e kanë njohur më parë.

“Dje, Ministri i Jashtëm i Togos njoftoi se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim njohje të reja të vendit tonë. Por, kjo nuk është pjesa më e dhimbshme”.

“Pjesa e dhimbshme është që edhe në një organizatë si Këshilli i Evropës, ku kemi më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme, edhe përkundër përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, aplikimi i Kosovës vazhdon të mbetet i patrajtuar. Që nënkupton, se ne nuk po arrijmë të mirëmbajmë dhe kultivojmë raportet as me vendet që na kanë njohur”.

Çitaku, duke akuzuar kryeministrin Kurti për “nënçmim të UÇK-së”, tha se historia nuk mund të fshihet.

“Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, Qeveria ia mohoi fjalën Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani. Ndërkaq, të nesërmen, Kryeministri Kurti thuri elozhe për Oliver Ivanoviqin. Kryeministër, nuk fshihet dhe nuk retushohet historia, si komunikatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimet tuaja në Facebook”, u shpreh Çitaku.

Rreth skandaleve ku është i përfshirë ambasadori Martin Berishaj, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka bërë thirrje të shumta vazhdimisht për ta shkarkuar atë nga kjo pozitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore