Shqipëria

Charles McGonigal, ish-agjenti që po e vendos FBI-në përballë një goditjeje


Charles McGonigal ishte një emër i rëndësishëm në radhët e inteligjencës amerikane.

Ai udhëhoqi hetime shumë të mëdha si publikimi i kabllogrameve të klasifikuara të Departamentit të Shtetit në vitin 2010 në WikiLeaks dhe kërkimin e një spiuni të dyshuar kinez brenda CIA-s.

Sot, duhet theksuar se Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk e ka akuzuar McGonigal për spiunazh dhe as nuk është akuzuar për zbulimin e gabuar të informacionit të klasifikuar.

McGonigal u padit për akuza të pastrimit të parave, shkelje të sanksioneve të SHBA-ve dhe dhënie të deklaratave të rreme.

Analiza e realizuar nga prestigjiozja “Washington Post” kërkon të prekë dhe sqarojë nëse ka pasur korrupsion nga ana e një zyrtari të lartë të FBI-së në lidhjet e tij me Rusinë, gjë e cila nëse vërtetohet do të ishte një goditje shume e fortë për byronë.

Kështu në analizimin e këtyre rrethanave “Washington Post” i është rikthyer edhe njëherë lidhjeve të tij të shumëpërfolura në Shqipërinë.

Në artikull shkruhet se në kohën kur ai dyshohet se filloi të punonte për një rus, i cili ishte nën sanksionet e SHBA-ve, McGonigal kishte krijuar marrëdhënie të tjera sekrete me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe një ish-operativ të inteligjencës shqiptare.

Puna shqiptare e McGonigal-it dyshohet se filloi ndërsa ai ende punonte për FBI-në.

Prokurorët pretendojnë se deri në gusht 2017, McGonigal ishte lidhur me një burrë nga New Jersi, i cili kishte lindur në Shqipëri dhe që disa dekada më parë kishte punuar për inteligjencën shqiptare.

Aktakuza nuk e përmend emrin e burrit, por përshkrimi përputhet me Agron Nezën, për të cilin të dhënat e korporatave shqiptare tregojnë se hyri në biznes me McGonigal në vitin 2019, pas largimit nga FBI.

Emri i Nezës, së bashku me të tjerët, u përfshi gjatë një investigimi të nëntorit 2021 të publikuar nga “Business Insider” në shtator dhe u konfirmua për “The Washington Post” nga një person i njohur me hetimin.

“McGonigal i kërkoi Nezës para – dhe Neza pranoi, duke i premtuar se do ta paguante pak nga pak”, sipas aktakuzës së cituar nga WP-ja.

Në vijim të artikullit, amerikania shkruan se të dy ata udhëtuan drejt Shqipërisë në shtator 2017, ku u takuan me kryeministrin, Edi Rama.

McGonigal, i cili ishte ende duke punuar për FBI-në në atë kohë, e paralajmëroi atë kundër dhënies së licencave fitimprurëse të shpimit për kompanitë që ishin fronte për interesat ruse.

Por WP-ja thekson se ndërsa McGonigal dukej se po vepronte në rolin e tij si oficer kundërzbulimi kundër ndikimit rus, prokurorët pretendojnë se, në fakt, Neza dhe një tjetër shqiptar që punonte me McGonigal –  i identifikuar nga prokurorët si një këshilltar informal i Ramës – kishin interesat e tyre financiare në fushat e naftës.

Një piktor dhe ish-basketbollist, Rama ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, duke udhëhequr një nga dy partitë politike mbizotëruese.

Vitet e fundit, ai ka paralajmëruar rritjen e ndikimit rus mbi kundërshtarët e tij politikë, gjë që ata e kanë mohuar.

Një vend me shumicë myslimane, Shqipëria ka qenë një partner kryesor strategjik i Shteteve të Bashkuara që nga dalja nga komunizmi në vitet 1990 dhe shihet nga Washingtoni si një lojtare e rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

“Si rezultat, diplomatë të nivelit të lartë amerikan dhe zyrtarë të sigurisë bëjnë udhëtime të shpeshta në Shqipëri”, tha Jasmin Mujanoviç, një ekspert i politikës ballkanike, duke treguar se ndërveprimet e McGonigal me kryeministrin do të ishin parë në vend si rutinë dhe jo befasuese.

Por, Mujanoviç thekson për prestigjiozen se akuza mund të pengonte seriozisht përpjekjen e reformës të udhëhequr nga SHBA në Shqipëri.

“Ajo që shpesh ka qenë zhgënjyese për njerëzit në rajon është se kur shfaqen këta zyrtarë të lartë perëndimorë, në vend që të përdorin pozicionet e tyre për të ngritur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duket sikur zbresin në nivelin tonë dhe bëhen pjesë e lojës”.

Ndërkohë që takimet kryhen po ashtu edhe paratë jepen.

Në kthimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, prokurorët pretendojnë se Neza i dha McGonigal-it 80 mijë dollarë ndërsa të dy ishin ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Manhattan.

Shumë shpejt Neza do t’i jepte atij edhe dy këste të tjera parash në shtëpinë e tij në New Jersi, për një total prej 225 mijë dollarësh – para që McGonigal i tregoi Nezës se do t’i paguante.

Prokurorët thonë se McGonigal dështoi të përfshijë pagesat në formularët e kërkuar të zbulimit financiar të FBI-së.

Ai gjithashtu dyshohet se nuk bëri të ditur se Neza iu bashkua atij në udhëtim dhe se udhëtimi dhe akomodimi i tij iu dhanë falas.

WP-ja shprehet se sipas aktakuzës, McGonigal inkurajoi FBI-në të hapte një hetim penal në vitin 2018 për një lobist amerikan që vepronte në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, opozita kryesore e Partisë Socialiste të Ramës.

“Një pjesë e informacioneve kundër lobistit”, thonë prokurorët, “kanë ardhur nga Neza dhe kanë origjinën në zyrën e Ramës”.

Individi nuk përmendet në aktakuzë, por duket se përputhet me lobistin dhe ish-republikanin, Nick Muzin, i cili u vu nën vëzhgim në të njëjtën periudhë pasi një artikull i marsit 2018 në Mother Jones ngriti pyetje nëse tarifat e tij të konsulencës mund të ishin paguar nga një kompani që ishte një front për interesat ruse, duke nxitur një hetim në Shqipëri.

Për këtë rast nuk u ngrit asnjë akuzë.

Në një email, Muzin tha se nuk ka “asnjë arsye të besoj se ka qenë viktimë e këtij hetimi të rremë. Por nëse do të isha, kjo është për të ardhur keq dhe shpresoj se drejtësia do të vihet në vend”.

Puna e McGonigal në Shqipëri solli në orbitën e tij ish-agjentë të tjerë.

Të dhënat e korporatave në Shqipëri tregojnë se në shkurt 2019 – pesë muaj pasi McGonigal u tërhoq nga FBI – ai dhe Neza blenë secili 25 për qind të aksioneve në një firmë me bazë në vend, e identifikuar në të dhënat e korporatave shqiptare si Zyra e Avokatit dhe Hetimi.

Një partner tjetër në firmë ishte Mark Rossini, një ish-agjent i FBI-së, karriera e zbatimit të ligjit i të cilit kishte përfunduar pasi ai u deklarua fajtor për qasje të paligjshëm në dosjet e FBI-së në vitin 2007 në emër të të dashurës së tij aktore.

Rossini është rishfaqur vitet e fundit si një konsulent ndërkombëtar – dhe ekspert për Shqipërinë, duke u shfaqur në intervista me mediat shqiptare për të paralajmëruar ndikimin rus mbi kundërshtarët politikë të Ramës.

Një person i njohur me rrëfimin e Rossinit për biznesin tha se kompania shqiptare nuk kryente asnjë punë dhe nuk kishte klientë.

Në gusht, Rossini u padit me akuza për korrupsion në një rast që përfshin pagesat për guvernatorin e Porto Rikos.

Ai është deklaruar i pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore