Lajme

Çështja “Protasevich”, SHBA akuzon katër zyrtarë të Bjellorusisë për pirateri të avionëve


Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuzua ndaj katër zyrtarëve bjellorusë për piraterinë e avionëve në devijimin e një avioni pasagjerësh në Minsk majin e kaluar.

Prokurorët pretendojnë se zyrtarët përdorën një kërcënim të rremë me bombë për të devijuar një fluturim të Ryanair-it në kryeqytetin Bjellorusi, ku u arrestuan gazetari i opozitës Roman Protasevich dhe partnerja e tij.

Zyrtarët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) thanë se incidenti ishte një “shkelje e pamatur”.

Në fillim të kësaj jave, një raport i OKB-së arriti në përfundimin se kërcënimi me bombë ishte qëllimisht i rremë.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve tha se katër burrat, Leonid Mikalaevich Churo dhe Oleg Kazyuchits – drejtori i përgjithshëm dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i autoritetit shtetëror të navigacionit ajror të Bjellorusisë – dhe oficerët e sigurisë së shtetit Andrey Anatolievich Lnu (mbiemri i paidentifikuar) dhe Fnu (emri i paidentifikuar) Lnu, mbeten të lirë në Bjellorusi.

Nëse do të gjykoheshin në një gjykatë amerikane, ata do të përballeshin me një dënim të përjetshëm.

Sipas akuzave, Churo personalisht komunikoi kërcënimin e rremë me bombë te zyrtarët e trafikut ajror bjellorus përpara se fluturimi i Ryanair-it për në Vilnius në Lituani të nisej nga kryeqyteti grek Athinë.

Zyrtarët e trafikut ajror pritën që avioni të hynte në hapësirën ajrore bjelloruse përpara se të njoftonin pilotin për kërcënimin e supozuar me bombë, në mënyrë që ta detyronin atë të ulej në Minsk.

Zëvendësi i Churo-s, Kazyuchits, më vonë u përpoq të falsifikonte të dhënat e incidentit për të fshehur kërcënimin me bombë dhe përfshirjen e zyrtarëve të sigurimit shtetëror, pretendon aktakuza.

Duke folur pasi akuzat u ngritën në një Gjykatë Federale në New York, ndihmësdrejtori i FBI-së, Michael Driscoll, e quajti rrëmbimin një “shkelje të pamatur të ligjit të SHBA-ve”.

“Piloti i ardhshëm, që merr një telefonatë shqetësimi nga një kullë, mund të dyshojë në vërtetësinë e urgjencës – gjë që vë në rrezik jetët”, shtoi Driscoll.

Vitin e kaluar, CEO i Ryanair-it, Michael O’Leary iu referua incidentit si një “rrëmbim i sponsorizuar nga shteti”.

Incidenti shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe sanksione ndëshkuese u vendosën ndaj Bjellorusisë nga SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në atë kohë, presidenti i Bjellorusisë, Alexandër Lukashenko, këmbënguli se kërcënimi me bombë kishte qenë real dhe ai “po mendonte për sigurinë e vendit”.

Protasevich, gazetar 26-vjeçar me median opozitare “Nexta”, dhe partnerja e tij Sofia Sapega u arrestuan pasi avioni u ul në Minsk.

Ai u lirua nga burgu në qershor dhe ka kaluar shtatë muajt e fundit në arrest shtëpiak.

Prindërit e tij në nëntor u thanë mediave bjelloruse se kontakti i tyre me të ka qenë i ndërprerë që nga lirimi i tij.

Lukashenko – i cili ka qeverisur Bjellorusinë që nga viti 1994 – pretendoi fitoren në zgjedhjet presidenciale të diskredituara gjerësisht në vitin 2020, duke shkaktuar protesta masive me muaj.

Që atëherë ai ka nisur një goditje brutale ndaj zërave kundërshtues që sfiduan fitoren e tij.

Alexandër Lukashenko
Si ndodhi ngjarja?

Bjellorusia dërgoi një avion luftarak për të detyruar uljen e fluturimit Ryanair FR4978 – i cili ishte nisur nga kryeqyteti grek, Athina dhe ishte drejtuar për në Vilnius në Lituani.

Policia, më pas, e mori Protasevich-in kur 126 pasagjerët e avionit zbritën.

Aktivisti, i cili dëshmitarët thanë se ishte “super i frikësuar”, u arrestua së bashku me të dashurën e tij Sofia Sapega.

Bjellorusia është i vetmi vend evropian që ekzekuton ende të burgosur dhe dëshmitarët thanë se Protasevich u tha udhëtarëve të tjerë se kishte frikë se do të përballej me dënimin me vdekje.

Bjellorusia tha se fluturimi ishte devijuar për shkak të një kërcënimi për bombë nga grupi militant palestinez Hamas.

Por, kjo e fundit e mohoi çdo përfshirje. Grupi nuk ka histori ose aftësi të njohur për të ngritur operacione jashtë Izraelit dhe territoreve palestineze.

Protasevich u largua nga Bjellorusia në 2019-ën, për të jetuar në mërgim në Lituani. Nga atje ai mbuloi ngjarjet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, pas së cilës u akuzua për terrorizëm dhe nxitje të trazirave.

Nexta luajti një rol kryesor për opozitën gjatë votimit, i cili u fitua nga Lukashenko dhe konsiderohet gjerësisht si i manipuluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore