Lajme

Organizoi protesta në Bjellorusi, dënohet me 18 vjet burg udhëheqësi i opozitës


Lideri i opozitës bjelloruse, Sergei Tikhanovsky është dënuar me 18 vjet burg me akuzën për organizim të protestave masive kundër udhëheqësit të vendit, Alexander Lukashenko.

Mbi Tikhanovsky-s, përpos kësaj, rëndojnë edhe disa akuza të tjera.

Ai planifikoi të sfidonte Lukashenkon në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, por u ndalua para votimit.

Gruaja e tij, Svetlana Tikhanovskaya, u përball me Lukashenkon i cili pretendoi fitoren në zgjedhjet e diskredituara gjerësisht.

Të martën, Tikhanovskaya vuri në dyshim vlefshmërinë e gjykatës që gjykoi bashkëshortin e saj dhe tha se dënimi i tij përbënte “hakmarrje” nga Lukashenko.

“Ndërsa i fsheh të burgosurit politikë në gjyqe të mbyllura, ai shpreson të vazhdojë represionet në heshtje. Por, e gjithë bota shikon. Ne nuk do të ndalemi”,  shkroi ajo në një postim në Twitter.

Përpara vendimit, Tikhanovskaya tha se do të vazhdonte të “mbronte personin që dua”.

Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve “Belta” tha se vendimi u dha në një gjykatë në qytetin juglindor të Gomel të martën.

Gazeta shtetërore “Sovetskaya” tha se pesë figura të tjera të opozitës të gjykuar së bashku me Tikhanovsky u dënuan me burgim që varionin nga 14 deri në 16 vjet. Mes tyre ishte politikani veteran Mikola Statkevich, i cili u dënua me 14 vjet burg.

Ata janë figurat e fundit të opozitës që do të burgosen në Bjellorusi pas një goditjeje brutale ndaj zërave kundërshtues që sfiduan fitoren e Lukashenkos në zgjedhje.

Ky i fundit ka qeverisur Bjellorusinë që nga viti 1994 dhe sfidoi muaj të tërë protestash vitin e kaluar pasi politikanë dhe aktivistë të opozitës u arrestuan dhe u mbajtën në burg.

Tikhanovsky është tani një nga qindra të burgosurit politikë që mendohet se mbahen në burgjet Bjelloruse. Midis tyre është organizatorja e protestës, Maria Kolesnikova, e cila u shpall fajtore për krime, duke përfshirë komplotin për të marrë pushtetin dhe u burgos për 11 vjet në shtator.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore