Lajme

Çështja “Protasevich”, disidenti bjellorus ndodhet në arrest shtëpie


Babai i Roman Protasevich-it, gazetari-disident bjellorus, në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve BBC, u shpreh se djali i tij ndodhet në arrest shtëpie.

Të dielën e 23 majit, 26-vjeçarin e arrestuan pas devijimit të një fluturimi për në Minsk.

Protasevich ishte nisur në një fluturim nga Greqia në Lituani, i cili u devijua pas një kërcënimi të supozuar me bombë.

Bashkë me të u arrestua edhe e dashura e tij, Sofia Sapega. Shtetasja ruse është zhvendosur, gjithashtu, në arrest shtëpiak.

Gjatë intervistës, babai i Protasevich-it tha se akuzat kundër dy të arrestuarve nuk janë tërhequr.

Gazetari përballet me akuza, të cilat përfshijnë organizimin e trazirave masive, dhe për të cilat ai mund të dënohet deri në 15 vite burg.

Kush është Roman Protasevich?

“Unë njihem zyrtarisht si terrorist. Kjo nuk është një shaka. KGB-ja bjelloruse më futi në listën terroriste. Tani emri im është në të njëjtën listë me atë të anëtarëve të Daesh-it”.

Kur Roman Protasevich publikoi këtë mesazh, në llogarinë e tij në Twitter, më 19 nëntor 2020, ai jetonte në mërgim midis Polonisë dhe Lituanisë prej një viti.

Në moshën 26-vjeçare, opozitari bjellorus, ish-kryeredaktor i platformës së opozitës Nexta, u shpall i kërkuar nga Presidenti Alexander Lukashenko, rizgjedhja e të cilit më 9 gusht 2020, shkaktoi një kryengritje në popull.

Reagimi i Bashkimit Evropian (BE) ndaj uljes së avionit

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel, ka bërë me dije se një seri sanksionesh të reja priten të miratohen nga ministrat e Jashtëm të BE-së kundër shumë zyrtarëve në Bjellorusi.

Unioni i ka shtuar vazhdimisht sanksionet, që kur presidenti Alexander Lukashenko fitoi zgjedhjet gushtin e kaluar.

“Ne do të miratojmë paketën e sanksioneve të reja, e cila është një paketë më e gjerë”, u tha Borrell gazetarëve në Luksemburg, ku ai ishte duke kryesuar takimin ministror.

Ai tha se ngrirja e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit do të godasin rreth 86 persona, përfshirë organizatat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore