Lajme

Gjykimi ndaj Krivaqës dhe Sejdiut nis më 16 maj


Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Më 16 maj do të nis rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Ferizaj, përmes një komunikate dërguar mediave.

Më 4 gusht të 2023-së, Dardan Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.

Kurse, Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim.

Familjarët e Osmanit kishin mirëpritur vendimin me duartrokitje ndërsa deklaruan, “bravo për këtë qen, i mjerë”, në momentin kur gjykatësi shpalli vendimin për Krivaçën.

Duke dalë nga seanca nëna e Marigona Osmanit iu drejtua Krivaçës duke i thënë, “ishalla kurrë dritë nuk sheh, ma ke mbytë vajzën 18 vjeç”.

Krivaqa nga Gjykata ishte liruar nga akuza për veprën “dhunim”, ndërsa Sejdiu ishte liruar nga aktakuza për veprën “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhumini”, pasi sipas gjykatës “me asnjë provë të vetëm nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale”.

Sipas aktakuzës, ishte përshkruar se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike.

Ndërsa vdekja ishte shkaktuar drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat ishin pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë.

Të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Rasti i Margiona Osmanit

Marigona Osmani u vra kur ishte vetëm 18 vjeçe. Gati dy vjet pas vrasjes së saj, për këtë vepër u dënuan Dardan Krivaqa me burgim të përjetshëm dhe Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim.

Ata janë akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai akuzohet se, edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale, si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.

Po ashtu që të dy akuzoheshin, se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Në seancën gjyqësore të martën janë thënë fjalët përfundimtare.

Familja e të ndjerës Marigona Osmani, përmes avokatit Gazmend Rexhepi kanë kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Kurse, i akuzuari për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça ka shprehur “keqardhje për atë që ka ndodhur”.

Para nisjes së seancës para Gjykatës në Ferizaj, është protestuar me pankarta të shumta.

Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, teksa nga protestuesit mbaheshin pankarta, “dënim maksimal për Krivaqën dhe Sejdiun”, “motiv i vrasjes patriarkaliteti”, “shteti ka mund ta mbrojë Marigonën”.

Në seancën e 24 janarit, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi kishte aprovuar propozimin e avokatit mbrojtjës, Admir Salihu që të të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës.

Në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Më 2 shtator të 2022, gjyqtari i çështjes kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit i kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Më 26 tetor të 2022, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzoheshin për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Kurse më 6 shtator, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore