Sport

Ceferin: Turneu i Super League me 2 klube, nuk do të përpiqemi t’i ndalojmë


Aleksander Ceferin

“Ndihem i trishtuar që duhet të flas për vendimin e sotëm, por ne e shohim atë si një shans për t’u përmirësuar. Një aspekt kyç, megjithatë, është se futbolli mbetet i bashkuar, ne do ta mbrojmë botën tonë nga çdo projekt që dëshiron ta dëmtojë atë”, ishin këto fjalët e para të Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s, pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë në Bashkimin Evropian (GJED).

GJED në vendimin e sotëm, 21 dhjetor, i dha dritën jeshile Super League-s, duke pranuar që FIFA dhe vetë UEFA po abuzojnë me pozitën dominuese.

Për Ceferin “Super League nuk kishte dritën jeshile për projektin që u propozua në 2021” dhe vendimi i sotëm në fakt kufizon veten duke thënë se “FIFA dhe UEFA nuk mund të japin para-autorizim për projektet e reja”.

“Por ne gjithmonë kemi thënë se mund të jesh pjesë e sistemit ose nuk mund të jesh, kjo është një zgjedhje individuale. Asnjëherë nuk kemi thënë që nuk mund të dilni jashtë sistemit”, shtoi ai.

Slloveni insiston në faktin se “Super League nuk përqafon parimet sipas të cilave futbolli bazohet në merita sportive”.

“Pashë prezantimin e projektit të tyre dhe nuk di të them nëse ndihemi më të tronditur apo të sulmuar. Ndihem i dhunuar nga ideja se kampionët e kampionateve të ndryshme kombëtare do të kualifikoheshin në Blue League, që është niveli i tretë. Sistemi i paraqitur sot është më i mbyllur se në vitin 2021 dhe i cili u refuzua nga bota e futbollit. Skuadra si Girona dhe Atalanta, për të dhënë dy shembuj, nuk do të mund të kualifikoheshin”, theksoi Ceferin.

Presidenti i UEFA-s beson se për Super League-n e re “të flitet për një garë të hapur do të ishte gabim, përkundrazi ofrohet një garë e mbyllur”.

“Ne nuk do të përpiqemi t’i ndalojmë ata, ne kurrë nuk jemi përpjekur ta bëjmë një gjë të tillë, ata mund të krijojnë atë që duan, shpresoj që ta fillojnë këtë kompeticion fantastik me dy klube dhe shpresoj se ata e dinë se çfarë po bëjnë, por nuk jam aq i sigurt… Futbolli nuk është në shitje dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë”, përfundoi numri një i futbollit në Evropë.

Super League: 64 skuadra, 3 liga dhe transmetim falas

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore