Lajme

Bullgaria ka shfuqizuar 12 pasaporta të arta në 3 muajt e fundit


Në tre muajt e fundit janë hequr në total 12 pasaporta të arta nga autoritetet në Bullgari.

Të paktën kështu rezulton nga një raport i nxjerrë nga Agjencia Bullgare e Lajmeve.

Raporti ka theksuar gjithashtu se procedurat janë në vazhdim për pesë të tjera, sipas ministrit bullgar të drejtësisë, Krum Zarkov.

Ministri bullgar ka ravijëzuar edhe faktin se në mbledhjen e grupit të monitorimit është diskutuar edhe për skemën e Pasaportës së Artë.

Skema e Pasaportës së Artë lejon shtetasit e huaj të pasur të marrin shtetësinë në vendin ballkanik nëse bëjnë një shumë të caktuar parash të investuara në Bullgari dhe që plotësojnë kushte specifike.

Paçka se programi është shumë i popullarizuar në shumë vende evropiane, Komisioni Evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që drejtojnë skema të tilla t’i ndërpresin sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas ministrit, vendi ka lëshuar gjithsej 120 pasaporta të arta teksa ka theksuar se Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare po monitoron secilin prej këtyre rasteve.

Po ashtu ka shtuar se vendimin përfundimtar duhet ta marrë Kuvendi i Bullgarisë, ndaj çështja mbetet e hapur.

Sakaq, anëtarët e Parlamentit Evropian vazhdimisht u kanë bërë thirrje autoriteteve në Bullgari, si dhe atyre në Qipro dhe Maltë që të shfuqizojnë programet e tyre.

Kjo pasi janë përfshirë në shumë afera të paligjshme, duke përfshirë pastrimin e parave dhe korrupsionin.

Përfituesit kryesorë të Programit të Pasaportës së Artë të Bullgarisë ishin shtetas të Kinës, Rusisë dhe Lindjes së Mesme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore