Lajme

Brahim Mehmetaj, dëshmitari i parë i mbrojtjes në gjykimin e Salih Mustafës


Dëshmitari i parë i mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-komandantit Salih Mustafa, ish-Zëvendëskomandanti i BIA-s, Brahim Mehmetaj

Dëshmitari i parë i mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-komandantit Salih Mustafa pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, është ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Brahim Mehmetaj.

Mehmetaj nga trupi gjykues është pyetur në lidhje me veprimtarinë e tij gjatë kohës së paraluftës dhe gjatës saj, duke filluar qysh prej bashkimit të organizatës që aso kohe ishte në ilegalitet të plotë, Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) dhe për kalimin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Mehmetaj ka deklaruar se LPRK-së i është bashkuar në fundin e viteve të 80-ta, teksa shtoi se funksionimi i kësaj organizate aso kohe bëhej në grupe të vogla.

“Është e vërtetë që nga fundi i viteve të ’80-ta (1988) i jam bashkuar organizatës ilegale të asaj kohe të quajtur Lëvizja për Republikën e Kosovës ose LPRK”.

“Realisht në atë kohë për shkak të specifikave dhe rrezikshmërisë, funksionimi ka qenë në grupe të vogla, ose të quajtura këshilla popullore. Këshillat popullore kanë pasur për detyrë përgatitjen për ndonjë situatë lufte dhe vetëdijesimin e qytetarëve se e vetmja zgjidhje për liri nga okupatori ka qenë lufta e armatosur”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se LDK-së i është bashkuar që në themelim të saj.

“Kam qenë kryetar i degës së rinisë së LDK-së për Prishtinë. Pastaj, anëtar kryesie në nivel të degës e deri te anëtar i Këshillit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.

Sa i përket aktivitetit të tij në si pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mehmetaj ka deklaruar se ishte në lëvizjen guerile BIA, ku ka qenë zëvendëskomandant i Salih Mustafës, i njohur me nofkën “Cali”.

Salih Mustafa

“Që nga themelimi unë kam qenë zëvendëskomandant i Calit, deri në një kohë kur e kam ndërruar detyrën”.

“Në themelimin e BIA-s është formuar Shtabi, ku brenda shtabit janë themeluar katër sektore, ai i shëndetësisë, i logjistikës, informacionit dhe sektori për moral e politikë”, ka thënë Mehmetaj.

Më 22 mars, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kryesuar nga Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia, ia ka vazhduar masën e paraburgimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Gjykatësja Mappie Veldt- Foglia

Sipas këtij trupi, vazhdon rreziku që i akuzuari mund të pengoj përparimin e procedurës së Gjykatës Speciale, duke ndërhyrë te viktimat dhe dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre, duke konstatuar se ekzistojnë arsye të artikulueshme për të besuar se rreziku i pengimit të progresit të procedurave të Dhomave të Specializuara, siç parashihet në nenin 41(6)(b)(ii) të Ligjit, vazhdon të ekzistojë.

Ndryshe të martën ka filluar të dëgjohet deklarata hyrëse e trupit të mbrojtjes së Mustafës.

Më këtë mbrojtja do të vazhdojë me provat dhe dëgjimin e 17 dëshmitarëve.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, thuhet në njoftim të Gjykatës Speciale.

Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore