Lajme

Blinken: SHBA-të do të dërgojnë avionë në Poloni në ndihmë për Ukrainën


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një vizite në Moldavi, të dielën tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë dërgimin e avionëve në Poloni nëse Varshava vendos të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

“Tani po shqyrtojmë në mënyrë aktive çështjen e avionëve që Polonia mund t’i ofrojë Ukrainës dhe po shikojmë sesi mund të jemi në gjendje të dërgojmë nëse Polonia vendos të furnizojë ata avionë”, theksoi Blinken.

Ai shtoi se “nuk mund të flas për një afat kohor, por thjesht mund të them se po e shikojmë atë shumë, shumë aktivisht”.

Vizita erdhi pasi Blinken në Poloni takoi anëtare të NATO-s të shtunën, ndërsa aleanca forcon krahun e saj lindor në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Blinken gjithashtu ka zhilluar një takim me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. 

Ky i fundit kërkoi më shumë sanksione nga Perëndimi ndaj Rusisë.

Sot është dita e 11-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Mbi 1.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe mijëra ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërkohë Ukraina vijon të rezistojë, pavarësisht sulmeve ruse.

Nga 1 milionë e 209 mijë e 976 refugjatët që kanë ikur, shumica e tyre, 53,7%, kaluan në Poloni.

Kombet e Bashkuara raportojnë se janë vrarë 351 civilë dhe 7 mijë e 70 të lënduar në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore