Lajme

Biserko për tokat e Manastirit të Deçanit: “Vendimi duhet të zbatohet, është parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës”


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

“Përveç që Kosova obligohet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit, kjo është edhe njëra nga kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, në një përgjigje për Albanian Post.

Biserko e cila haptazi mbështetë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin si një politikan që ajo e konsideron figurë dhe model të ri në të bërit politikë në Ballkan, është e mendimit se po i njëjti duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse sundimi i ligjit është prioritet i kësaj qeverie dhe për aq sa jam në dijeni edhe është, atëherë të gjithë duhet t’i qëndrojnë asaj”, potencon ajo.

Në pikturën tashmë të ndërruar të kontekstit aktual gjeopolitik prejse filloi agresioni rus mbi Ukrainën, Biserko e konsideron të nevojshme që Kosova të forcojë sovranitetin e saj.

Një gjë të tillë ajo e sheh përmes anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Nuk jam në dijeni rreth argumenteve që frenojnë moszbatimin e vendimit në fjalë, por Kosova nuk duhet të humbasë mundësinë që është ngritur pas luftës në Ukrainën e cila përshpejtoi rikthimin e komunitetit ndërkombëtar perëndimor në Ballkan me ambicien për t’i mbyllur çështjet e pakryera. Pjesë e kësaj është forcimi i sovranitetit të Kosovës përmes anëtarësimin në Këshill të Evropës”, tha Biserko.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

Se a mund t’ia vonojë anëtarësimin në Këshill të Evropës çështja e njohjes së 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, Biserko përgjigjet pozitivisht.

“Politikanëve ballkanas u mungon urtia dhe të kuptuarit e asaj se si funksionon bota në kohëra të trazuara. Është me rëndësi të njihet momentumi dhe dritarja e mundësisë që është unike. Dhe po, mund t’ia shtyjë (Kosovës) anëtarësimin në KiE”.

Çka duhet pasur ndërmend, sipas Biserko, është se “Serbia po përdor gjithfarë argumentesh për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në KiE”.

“Sa më shpejtë që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ndryshme, pozicioni ndërkombëtar i saj fuqizohet në mënyrë të konsiderueshme. Ky është një proces që kërkon durim dhe shkathtësi diplomatike”.

Në lidhje me atë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar, Biserko gjithashtu se “për aq sa jam informuar, nuk është përmendur asnjë kundër ofertë ndaj [manastirit] të Deçanit”.

Manastri i Deçanit

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të këmbëngulin që Kosova të përmbush vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përfundoi ajo për Albanian Post.

Ndonëse presioni nga komuniteti ndërkombëtar rreth çështjes së 24 hektarëve tokë të pretenduara nga Manastiri i Deçanit është rritur, qeveria e tanishme, por edhe ato të kaluarat që nga vendimi i GJK-së, nuk e kanë zbatuar atë.

Qëndrimi i Kurtit

Kryeministri Kurti në anën tjetër në lidhje me debatin në fjalë ka thënë se e kupton që Manastirit të Deçanit i duhet hapësirë dhe ndihma e qeverisë së Kosovës, por se vendimet e marra në kohën e Slobodan Millosheviçit janë çështja ku qëndron problemi.

“Vendimet që janë marrë nga regjimi i Millosheviçit nuk do të duhej të pranoheshin si vendime të zakonshme të qeverisjeve legjitime e demokratike”, kishte deklaruar Kurti.

“E kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet ta ketë një hapësirë rrotull dhe ata kanë nevojë për qetësinë e ambientit, e kuptoj që ata kanë nevojë edhe për ndihmën e qeverisë së Kosovës, por ne e kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviçit të cilët për bindjen time çuditërisht janë pranuar nga një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo në fazat e zakonshme”, pati thënë ai.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

“Kemi nevojë për dialog, në mënyrë që të trajtojmë këtë brengë të tyre dhe nuk duam t’i dominojmë ose t’i cenojmë, por besoj që duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre që vendimet e regjimit të Millosheviçit nuk mund të jetojnë në këtë shekullin tonë”.

Qëndrimi i Konjufcës

Edhe kryetaparlamentari i Kosovës vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes në fjalë e kishte quajtur të pazbatueshme dhe se sipas tij nuk do të duhej të zbatohej.

“Unë them që nuk duhet të zbatohet. Kam hyrë dhe e kam studiuar kuadrin ligjor jo të  Gjykatës Kushtetuese, por kuadrin ligjor të pronësisë dhe të vendimit publik, kur është marrë edhe në bazë të cilit është marrë Gjykata Kushtetuese. Dimensioni i parë për mua është skandaloz, është një vendim i vitit 1997 i Slobodan Millosheviçit”, kishte thënë Konjufca në Rubikon.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Konjufca në elaborimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese pati konstatuar se “gjyqtarët e kanë trajtuar rastin tërësisht të zhveshur nga dimensioni i vet politiko-historik”.

“Pra, ata çka kanë marrë vendim është duke e reduktuar problemin në çështje administrativo-kadastrale”, pati thënë kryeparlamentari Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore