Lajme

Biserko: Anëtarësimi në Këshill të Evropës forcon sovranitetin e Kosovës


Kryetarja e Komitetit të Helsnikit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

“Perëndimi qartazi do të kërkojë koncesione në Ballkan në mënyrë që të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura, e në rend të parë Kosovën”, ka thënë Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko.

Duke komentuar deklarimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas bisedës së tij telefonike me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, për çështjen e gazit, Biserko foli edhe për atë se çfarë politikash priten rreth çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kandidatura e Kosovës në Këshill të Evropës dhe mbase edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, do të forcojë sovranitetin e Kosovës, dhe kjo do të kontribuojë në përmirësimin e pozitës së komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë ajo për Danas.

Rreth asaj që Vuçiç tha se “Serbia mori çmim të favorshëm të gazit”, Biserko thotë se duhet pyetur se “çka ka ka kërkuar Rusia në këmbim të kësaj”.

Kjo sipas saj do të shpaloset me vizitën e kryediplomatit rus në Beograd, Sergej Lavrov.

“Është e vërejtshme, veçanërisht pas forumit në Davos, që bota po kërkon një strategji dalëse nga lufta e zgjatur në Ukrainë, e cila solli pasoja të paparashikueshme në rendin ndërkombëtar, solli krizë të urisë dhe ende mund të provokojë përdorim të armëve bërthamore”.

“Më eksplicit në këtë ishte Henry Kissinger i cili tha se Ukraina dhe Rusia duhet të fillojmë negociata të paqes në dy muajt e ardhshëm. Në vend se Ukraina të bëhet urë lidhëse mes Evropës dhe Rusisë, Rusia është izoluar plotësisht për shkak të agresionit, gjë që, sipas Kissinger-it, nuk duhet të lejohet”, tha më tej Biserko.

“Duket gjithashtu se edhe Gjermania dhe Franca po mendojnë mbi të njëjtat linja sepse lufta është tejzgjatur dhe ka kërcënuar direkt Evropën, sepse burimet alternative të energjisë kërkojnë kohë. Është e qartë se edhe Rusia po kërkon dalje strategjike, pasi që që nga dita e parë e luftës, ka qenë humbëse, në rend të parë moralisht”, shtjelloi aktivistja serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore