Lajme

Biserko për Albanian Post – “Kurti solli dimension të ri në politikë – Shpresoj të ketë sukses”


Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, në një intervistë për Albanian Post ka thënë se Kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurtit, “ende është shumë herët për t’ia gjykuar qeverisjen”.

“Kjo”, sipas Biserkos, “për shkak se Kurti ka trashëguar një situatë tejet komplekse dhe një situatë të vështirë”.

“Zgjedhjet i ka fituar me premtimet për luftimin e krimit të organizuar dhe se do të synojë drejtësi”, përgjigjet Biserko për AP, ndërsa thotë se tash “duhet shtrirë dorën për t’i ndihmuar vetë shoqëria”, por edhe “BE-ja dhe ShBA-ja”.

Përveç “rezistencës nga opozita”, thotë Sonja Biserko, Kurti po përballet edhe me “rezistencë nga Beogradi dhe Tirana”.

Komuniteti serb përbrenda Kosovës, thotë aktivistja politike Sonja Biserko, “është nën presion të ashpër nga Beogradi”.

“Dhe me ose pa qëllim, Beogradi bën aleanca vetëm me ata që duan ta shohin Kurtin jashtë”.

“Të gjithë ne duhet t’i japim benefitin e dyshimit, sepse ai solli një dimension të ri të jetës politike në Ballkan”, thotë Sonja Biserko për Albanian Post, ndërsa uron që Kurti “të ketë sukses”.

Kërcënimet e Listës Serbe për dalje nga institucionet e Kosovës

Kërcënimet e Listës Serbe se nëse bisedimet për formimin e asociacionit të komunave serbe nuk nisin deri në fund të vitit, do të dalin nga institucionet e Kosovës, Biserko i sheh të rëndomta.

“Komuniteti serb është i instrumentalizuar nga Beogradi”, bën me dije ajo, dhe se “ata do të veprojnë brenda instruksioneve të tyre”.

“Asociacioni i Komunave Serbe ka qenë problem edhe për qeveritë e kaluara. Por duhet kuptuar se çfarë është – Beogradi dëshiron një status si të Republika Srpska-s me një ambicje për t’u shkëputur nga Kosova”.

“Për skenar të këtillë”, thotë Biserko, “ata kanë shumë aleatë”.

Kosova, sipas Biserko, në raport me këtë çështje, gjendet para dy sfidave.

“Sovraniteti i Kosovës sfidohet brenda nga komuniteti serb, dhe jashtë nga Beogradi dhe 5 shtetet anëtare të BE-së”.

“Këto janë sfida të njëmendta me të cilat përballet Kosova”, përgjigjet Biserko për AP.

Goran Rakiç si një gjysëm Millorad Dodik

Ndërkaq për një krahasim të mundshëm mes Ministrit të Qeverisë së Kosovës, i cili potencialisht luan një semi-Millorad Dodik, Biserko thotë se “askush nga Lista Serbe s’është i pavarur nga Beogradi”.

“Serbia, përmes Listës Serbe, ka kontroll të plotë mbi jetën politike të komunitetit serb në Kosovë, që i bie në qafë demokracisë, pluralizmit politik dhe integrimit të tyre në Kosovë”.

Asociacioni i Komunave Serbe

Asociacionin e Komunave Serbe dhe çfarëdo zgjidhje që mund të jetë ashtu siç Biserko e quan “të ngjashme për nga statusi me Republika Srpska-n”, ajo thotë se “e gërryen statusin, shtetësinë dhe funksionalitetin e Kosovës”.

“Dialog duhet të ketë mes komunitetit serb dhe Prishtinës, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për integrimin e tyre dhe të drejat e tyre njerëzore”, shtjellon Sonja Biserko.

Por, një e gjë e tillë, sipas Biserkos, nuk ndodhë, sepse “mungon vullneti politik dhe praktikat e mira”.

Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

“Unë jam gjithmonë për dialog. Formati duhet të ndryshojë dhe duhet të jetë format i barabartë. Shqiptarët dhe serbët kanë bashkëjetuar me shekuj dhe kanë pasur përvoja të mira”, tregon ajo për AP.

Ndërkaq thotë se “BE-ja duhet të rikrijojë rolin e saj veçanërisht në Serbi, në mënyrë që ta imponojë veten si ndërmjetësues”.

“Dy zgjidhje historike”, thotë Biserko “u mbeten Kosovës dhe Serbisë”.

“Ose të vendosin të mbeten armiq të përjetshëm, ose të bëhet fqinj të mirë dhe aleat të së ardhmes”.

Dhe kjo gjë duhet të fillojë duke ndërmarrë një hap të parë, thotë ajo – “dekonstruktimin e narrative etnocentrike helmuese”.

“Unë besoj se mund t’ia dalim”, përfundon Biserko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore