Shqipëria

Betohen ministrat e rinj të Qeverisë


Në ambientet e Presidencës së Shqipërisë këtë të martë të 12 shtatorit janë betuar ministrat e rinj të Qeverisë, të propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Ceremonia u mbaj një ditë pasi mazhoranca miratoi ndryshimet, ndërsa dekretet për 2 ministri nuk u hodhën në votim.

Kështu u betua Albana Koçiu si ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale.

Ogerta Manastirliu u betua si ministre e Arsimit dhe Sportit.

Igli Hasani u betua si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Anila Denaj u betua si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Arbjan Mazniku u betua si ministër i Pushtetit Vendor.

Çfarë përfaqësojnë ministrat e rinj?

Hasani ka qenë bashkë-koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore pranë OSBE-së. Një profil teknik i lartë për kabinetin Rama.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, ambasadori Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.

Ambasadori Hasani ka një përvojë 17-vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014) dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).

Arsimi kaloi në duart e ish-ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Do të jetë kjo sfida e re në kabinet për të, pas pandemisë COVID-19.

Duhet thënë se Manastirliu e merr arsimin në një pikë shumë delikate, me çështje të mëdha për t’u diskutuar, si ligji i ri për studentët e Mjekësisë dhe rënien tërësore të aplikimeve, apo ikjen e të rinjve jashtë.

Shëndetësia nga ana tjetër kaloi në duart e Albana Koçiut.

Kjo e fundit ka qenë drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike dhe ka pasur rol kryesor në reformën e administratës me ardhjen e Qeverisë Rama në pushtet.

Nga Bujqësia u largua Frida Krifca dhe rolin e saj e mori një ish-ministre e Ramës, Anila Denaj.

Denaj ka mbajtur më parë rolin e ministres së Financave dhe Ekonomisë në Qeverinë e dytë Rama.

Një Ministri e re ndërkaq erdhi në jetë, ku Arbian Mazniku mori postin e ministrit për Pushtetin Vendor.

Kjo Ministri do të kryejë edhe bashkërendimin e punës mes Qeverisë dhe pushtetit vendor.

Mazniku ndërkaq ka një rol të gjatë si zëvendëskryetar i parë i Bashkisë Tiranë, ku më herët ka qenë edhe administrator rajonal në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore