Lajme

Besnik Bislimi thotë se nuk ka gënjyer, por ka përdorur fuqinë e interpretimit, pas skandalit me Bjorn Berge


Besnik Bislimi dhe Bjorn Berge

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u përgënjeshtrua publikisht nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, meqë pas takimit të tyre Bislimi nxori në Twitter përfundime të paqena.

“Fatkeqësisht ky nuk është përshkrim korrekt i asaj çfarë kam deklaruar në takim”, shkroi Berge si kundërpërgjigje e cicërimës së Bislimit se “Berge e mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës”.

Por, zëvendëskryeministri Bislimi, përkundër se një herë kërkoi falje, ai e mohon të ketë gabuar diçka – aq më pak gënjyer.

Në një intervistë për median e Kosovës në gjuhën serbe, KoSSev, Bislimi thotë se thjesht ka përdorur të drejtën e interpretimit.

Pra, mendon se më shumë ishte çështje interpretimi, sesa gabimi.

“Në kontekstin e diskutimit, ju keni një interpretim të lirë se si mendoni se është pranuar nga pala tjetër”, deklaroi Bislimi.

Për reagimin e Berge-s që i komentoi se e ka keq-prezantuar atë që ka ngjarë në takim, zëvendëskryeministri thotë se “e kuptoj”.

Sepse, shton Bislimi, “është një çështje e ndjeshme për ta”.

Ai tregon se edhe e ka kontaktuar më pas Berge-n për t’ia sqaruar “interpretimin” e tij.

“E thirra të nesërmen dhe folëm për detajet se si ndodhi”.

Megjithatë, për skandalin diplomatik që bëri, ai pohon se ishte në thelb “e parëndësishme”.

“Për mua më e rëndësishmja është që takimi shkoi mirë”, deklaron Bislimi duke u bazuar në fuqinë e interpretimit të tij.

“Ishte një takim i gjatë, i cili zgjati më shumë se një orë”.

Besnik Bislimi gjate intervistes per KoSSev

 

Çfarë kishte ndodhur pas takimit Bislimi – Berge?

Pas takimit me Bjorn Berge, Bislimi, kishte shkruar në rrjetin social se “gjatë qëndrimit në Strasbourg, Berger mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës”.

Kështu do të mbetej sikur Berge të mos ri-shpërndante tëitt-in e Bislimit, me një përshkrim mbi të.

“Fatkeqësisht ky nuk është përshkrim korrekt i asaj çfarë kam deklaruar në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për në Këshill të Evropës”.

Përgënjeshtrimi i Bergen u bë viral, jo vetëm për keqinformimin që kishte ndodhur, por edhe për faktin se nga kush vinte.

Bislimi, pos shtetar, është edhe profesor. Ai mbahet si njëri shumë i zoti në profesionin e tij dhe nuk kanë qenë të rralla komentet përçmuese të tij në Parlamentin e Kosovës në raport me opozitarët.

“Ju nuk dini” dhe “ju nuk kuptoni” janë fraza që Bislimi i përdorë kur ballafaqohet me kundërshtarët politik.

Është ikonik edhe një rast i tij në një studio televizive kur e kishte vënë në test një gazetar.

Gazetari, në siklet, i kishte kërkuar ta përsërite pyetjen Bislimit, duke u ndjerë në tension se mos jep përgjigje të gabuar.

Përtej kësaj “persona” që Bislimi e ka krijuar publikisht, ka edhe shumë legjenda urbane rreth mënyrës se si sillet ai në privat.

Thonë se Bislimi krekoset se ka IQ’në – nivelin e inteligjencës – më të madhen në Kosovë dhe si parakusht për t’u angazhuar mirëfilli në debat me dikë, ai i kërkon fillimisht t’ia japin shifrën e arritur në testin e IQ-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore