Shqipëria

Berisha e quan Kolegjin Zgjedhor ‘mercenarë të Ramës’, thotë se ‘e kanë tmerr’


Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me dy vendime të Kolegjit Zgjedhor gjatë ditës së djeshme, të cilat nuk i japin të drejtë koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të cilin ai e drejton politikisht në zgjedhjet e 14 majit, duke i quajtur gjyqtarët e organit të lartë vendimmarrës zgjedhor, si “mercenarë të Edi Ramës”.

“Nga një anë, më bën nder pasi tregon tmerrin që ka nga Sali Berisha”, tha ai gjatë një fjale në një tubim elektoral në Këlcyrë.

Kolegji, më 21 prill, ka lënë në fuqi vendimi i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, lidhur me emrin e drejtuesit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, i cili duhet të jetë i shkruar në fletën e votimit përbri simboleve, duke hequr përfundimisht dyshimet se vendi i takon Ilir Metës.

Kështu, duke e lënë formalisht jashtë votimeve Sali Berishën, edhe pse është kërkuar nga koalicioni që ky i fundit të jetë i shënuar në fletë si drejtues i koalicionit.

Vendos Kolegji: Bashkë Fitojmë ka Metën kryetar, emri i Berishës jashtë votimeve të 14 majit

Një tjetër kërkesë e “Bashkë Fitojmë” u rrëzua nga Kolegji, sa i takon heqjes së logove të partive politike në fletën e votimit.

Sipas vendimit, edhe në fletën e kandidatëve për kryetar të bashkive, logot do të jenë të pranishme në fletë.

Për Berishën gjithsesi, situata është alarmante.

“Këta nuk kanë të ndaluar në hajdutërinë e tyre. Ndaj dhe 14 maji është votë në radhë të parë për veten tuaj, është votë për një ndryshim që është jetik”, ka shtuar ai përballë qytetarëve të Këlcyrës.

Kjo “luftë e egër” e Ramës ndaj opozitës sipas tij, është më e pashembullta që prej themelimit të PD-së.

“E ka kapur tmerri nga opozita dhe urdhëron mercenarët e tij të shkelin ligje dhe Kushtetutë, t’i emërojë koalicionit, kryetarin e koalicionit, të cilin ligji ia njeh në mënyrë eksplicite anëtarëve të koalicionit”, referoi ai lidhur me vendimin përfundimtar të Kolegjit.

Në realitet gjithsesi, është konflikti rreth përdorimit të simboleve të Partisë Demokratike, përçarësi i vërtetë i situatës.

Duke qenë se Berisha nuk arriti të kishte legjitimitet sa i takon përdorimit të logos së PD-së, si kryetar jo i ligjshëm i forcës së djathtë politike, i takoi Enkelejd Alibeajt si kryetar i komanduar dhe grupacionit të tij, mbajtja e PD-së zyrtare juridikisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore