Shqipëria

Basha në dispozicion të bëjë gjithçka për bashkimin e PD-së, por dorëheqjen nuk e artikulon direkt


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë me dije se është i gatshëm të vihet në dispozicion me çdo mënyrë, për të gjetur zgjidhje në të gjitha format, sa i përket bashkimit të demokratëve dhe fraksioneve të krijuara, por, dorëheqjen direkte, ai nuk e ka përmendur në asnjë fjalë.

“Kam vendosmëri për të bërë gjithçka për të përbashkuar PD-në. Përgjegjësia kryesore bie mbi mua. Vihem në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme”, deklaroi Basha përpara gazetarëve.

Nga ana tjetër, ka qenë Grupi Parlamentar demokrat, që i ka kërkuar Bashës dorëheqjen. Gjithashtu, gjëja tjetër që Grupi Parlamentar ka kërkuar, ka qenë edhe tërheqja e Berishës nga fryma përçarëse dhe protagonizmi i shtuar politik që ka marrë.

Për Bashën gjithsesi, është bërë një analizë e gjendjes përgjatë mbledhjes së sotme disa orëshe.

Pas këtij takimi, nuk janë kërkuar as koka turku sipas tij, as justifikime. Ajo çfarë është kërkuar, është zgjidhja.

“Për mua, gjëja më e rëndësishme është bashkimi i demokratëve”, vijoi më tej Basha. “Jemi bashkuar gjithmonë përmes vlerave dhe parimeve. Unë jam në dispozicion të zgjidhjes me gjithçka kam në dorë”, përmbylli ai.

Sa i përket Sali Berishës, ende nuk ka një reagim prej tij mbi situatën.

Të gjithë kundër Bashës

Partia Demokratike, këtë herë, duket e bashkuar, por jo për kauzën që mendohej – atë të largimit të Edi Ramës nga pushteti.

Motoja e përbashkimit mes funksionarëve demokratë, është ajo e largimit të kryetarit të tyre aktual, Lulzim Basha, pas rezultatit të PD-së në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku asnjë bashki nuk u fitua dhe ku në pesë nga gjashtë qytetet ku votohej, demokratët (zyrtarë) u renditën të tretët.

Pas një mbledhjeje maratonë të Grupit Parlamentar demokrat, Basha u shpreh i gatshëm të merrte përgjegjësi të shtuar dhe të gjendej një zgjidhje për ngërçin e krijuar në partinë që ai drejton.

Mirëpo, nga ana tjetër, zgjidhja sipas deputetëve, është pikërisht largimi i Bashës.

Më i zëshmi ndër ta ka qenë Tomor Alizoti, i cili deklaroi pas mbledhjes se “kjo parti tashmë, nuk ka institucione”, duke lënë të nënkuptohej se Basha po i merrte vetë të gjitha vendimet dhe hapat e caktuar.

“Jam rikthyer në këtë mbledhje, për t’iu kërkuar atë që prej disa muajsh e kërkojnë demokratët”, i është referuar Alizoti Bashës në takim. “Duhet të japësh dorëheqje. Kjo parti nuk ka institucione. Vetëm përmes funksionimit të institucioneve, mund të funksionojë partia”.

Menjëherë pas kësaj rezymeje, ai i ka thënë Bashës se duhet të largohet nga posti, pasi nuk ka mbështetjen e demokratëve.

Në të tilla tone kanë qenë edhe deputetë të tjerë të PD-së, më parë mbështetës të Bashës. Këtu, përfshirë edhe emra si Ina Zhupa, Ervin Salianji, Grida Duma apo Enkelejd Alibeaj.

Këta dy të fundit madje, si nënkryetarë të PD-së, i kanë dalë kundër Bashës.

Një ndër zgjidhjet e paraqitura ndërkaq, është ajo e organizimit të zgjedhjeve të brendshme, me fokus rindërtimin e besimit tek demokratët.

Diskutimet pritet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme në organe të tjera të larta të PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore