Përballje

Barcelona shënon katër herë për t’u ngjitur në vendin e katërt, Atletico zhytet në krizë


Barcelona ka arritur një fitore masive në super duelin e javës përballë Atletico Madrid.

Në një ndeshje që zakonisht prodhon pak gola, gjithçka ndodhi.

Nisi me shumë gola në fakt.

Në minutën e tetë, pas një kombinimi shumë të bukur në zonë, Atletico Madrid gjeti epërsinë përmes Yannick Carrasco.

Belgu shfrytëzoi një asistim të ishit të madh të sfidës, Luis Suarez.

Mirëpo, pa kaluar 120 sekonda, rezultati u barazua në 1-1.

Një harkim i bukur nga Dani Alves, pa Jordi Alba-n të koordinohej shumë bukur me topin për të shënuar një super gol fluturimthi.

Nga ai moment, katalunasit morrën kontrollin e takimit.

Pas 10 minutave, në të 20-ën, transferimi më i ri i katalunasve, Adama Traore, e gjeti të lirë në zonë talentin Gavi, i cili shënoi për 2-1.

Pak sekonda para se Gil Manzano të vërshëllente për mbylljen e pjesës së parë, Araujo u përkujdes që shifrat të shkonin në 3-1.

Në pjesën e dytë, menjëherë pas nisjes, Dani Alves ishte ai që gjeti rrugën e rrjetës duke shënuar për 4-1.

Pa u mbyllur një orë lojë, Atletico ngushtoi epërsinë në 4-2 falë Luis Suarez.

Nga ai moment, gjithçka kishte në fushë pos futboll.

Ndëshkimi me karton të kuq i Alves i hapi mundësitë Atletico-s, por “rojiblancos” nuk arritën të bëjnë asgjë.

Pas 97 minutave, loja përfundoi me fitoren shumë të rëndësishme të Barcelonës, 4-2.

Katalunasit pas shumë kohësh ngjiten në vendin e katërt në tabelë, me 38 pikë pas 22 ndeshjesh.

Atletico mbetet në vendin e pestë me 36 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore