Përballje

Ballkani shënon fitore të pastër ndaj Ludogorets në ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve


Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore të madhe me rezultat 2:0 ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogorets, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Ekipi i Ilir Dajës nuk e vuri për asnjë moment diskutimin për fitore në këtë ndeshje, duke e dominuar kundërshtarin që nga fillimi i lojës.

Goli i parë në stadiumin “Fadil Vokrri” erdhi krejt në fund të pjesës së parë, kur Meriton Korenica e shënoi një gol të bukur.

Edhe pjesa e dytë nisi mirë për ekipin nga Suhareka, të cilët pas 10 minutave e gjetën edhe golin e dytë.

Ishte Qendrim Zyba që realizoi me kokë, pas një harkimi nga gjuajta e lirë e Korenicës.

Në vazhdim, dyja skuadrat patën edhe disa raste të mira për të shënuar, por Ballkani arriti të mbrohej mirë, kështu duke shkuar me epërsinë prej dy golave në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet pas një jave në Bullgari.

Vlen të theksohet se në rast se Ballkani e kalon këtë raund, atëherë në tjetrin do të ballafaqohet me fituesin e ndeshjes mes Olimpija Lubjanës dhe ekipit nga Latvia, Valmiera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore