Sport

Aventurës së Fernando Alonso-s në Formula 1 nuk po i shihet fundi


Fernardo Alonso ka rinovuar kontratën e tij me Alpine F1 edhe për një vit.

Spanjolli i cili tashmë konsiderohet legjende e këtij sporti, nuk e ka ndërmend që t’i jap fund karrierës në sportin më të shpejtë në botë.

40 vjeçari, i cili debutoi 20 vite më parë me Minardi-n, do të vazhdojë karrierën e tij në F1 të paktën edhe për një vit.

Në garën e fundit para pushimit veror, atë të Hungarisë, Alonso iu tregoi të gjithëve që ende është në formën më të mirë, duke zhvilluar një ndër betejat më interesante të dekadës së fundit kundër shtatë herë kampionit të botës, Leëis Hamilton.

Dy herë kampioni i botës këtë vit u kthye në F1 pas dy viteve mungesë.

Ai në F1 ka zhvilluar plot 322 gara.

Fitoren e parë e ka arritur në vitin 2003 në garën e Hungarisë, e në total ka 32 fitore.

Në karrierën e tij, Alonso është ngjitur plot 97 herë në podium. 22 herë ka arritur pole-position dhe 23 herë xhiron më të shpejtë në garë.

Aktualisht, Alonso renditet i 11-ti, me 50 pikë.

Alpine bën të ditur që të njëjtin formacion do ta përdorë edhe vitin tjetër.

Alonso dhe Ocon do të jenë pilotët e skuadrës “motër” të Renault në vitin 2022, kur ky sport pritet të ndryshojë në tërësi me rregullat e reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore