Lajme

Australia dështoi në mbrojtjen e të drejtave për qytetarët e saj në Siri, sipas OKB-së


Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë akuzuar Australinë se ka dështuar të parandalojë “zhdukjen e plotë të të drejtave” të qytetarëve të saj, përfshirë fëmijët që mbahen në kushte “të këqija” në kampe në Sirinë Verilindore.

Në një lëvizje, për të cilën grupet humanitare shpresojnë se do të intensifikojë presionin ndaj Australisë për të vepruar, 12 raportues të posaçëm të OKB-së i kanë shkruar së bashku qeverisë për të ngritur shqetësimet për 46 qytetarë australianë, përfshirë 30 fëmijë, të mbajtur në kampe.

Letra ngre shqetësime të thella mbi kushtet në kampet al-Hawl dhe Roj, “ku shumica e këtyre individëve mbahen dhe u është hequr liria pa asnjë proces gjyqësor”.

Gjithashtu paralajmërojnë se fëmijët kanë vuajtur nga “kequshqyerja” dhe “kushtet e rënda të strehimit e sanitare” dhe po shfaqin shenja traume.

Raportuesit e posaçëm të OKB-së thonë se ata besojnë se kushtet “përbëjnë shkelje të një numri të të drejtave të njeriut dhe plotësojnë standardin e torturës, trajtimeve, ose dënimeve të tjera mizore çnjerëzore ose degraduese”.

Letra përsërit thirrjet, sipas të cilave qeveria australiane të riatdhesojë qytetarët e saj, duke thënë se kjo është “përgjigjja e vetme ligjore dhe njerëzore ndaj situatës komplekse dhe të pasigurt të të drejtave të njeriut, humanitare dhe sigurisë”.

Kampet menaxhohen nga autoritetet kurde. Mes të arrestuarve besohet se përfshihen anëtarë të familjes së burrave, të cilët udhëtuan në Siri dhe Irak për të luftuar për Shtetin Islamik.

Mbështetësit e grave dhe fëmijëve thonë se historitë e tyre individuale ndryshojnë, por shumë prej tyre u mashtruan për të shkuar atje ose ishin viktima të trafikimit.

Qeveria australiane ka ngritur vazhdimisht shqetësime për kushtet në kampe, por ka thënë se do të marrë në konsideratë riatdhesimet vetëm rast pas rasti.

Ajo është e fokusuar në mbrojtjen e “komunitetit australian”.

Letra e OKB-së, drejtuar qeverisë australiane, e shkruar në shkurt, por e lëshuar vetëm të dielën, pranon rrethanat e vështira që rrethojnë ndalimet, por shton se kjo nuk mund të jetë një justifikim për mosveprim.

“Është pikëpamja jonë e konsideruar se çdo argument i bazuar në natyrën ekstreme të situatës nuk mund të përdoret për të justifikuar ndalime të tilla tashmë të gjata dhe mungesën e plotë të hapave të ndërmarra nga qeveria për të korrigjuar zhdukjen e plotë të të drejtave të qytetarëve australianë që rezulton nga heqja e tyre arbitrare e lirisë”, thuhet në letër, përcjell Albanian Post.

Në letër gjithashtu thuhet se, sipas ligjit ndërkombëtar, fëmijët konsiderohen të pambrojtur dhe kanë nevojë për mbrojtje të veçantë.

Asnjë fëmijë nuk mund të “çmohet i padenjë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në bazë të statusit ose akteve të prindërve të tij”.

Ekspertët e OKB-së thanë se disa nga gratë mund të jenë detyruar ose trafikuar në Siri dhe çdo përgjigje nga qeveritë nuk duhet “të përjetësojë ose të kontribuojë në dëm të mëtejshëm ndaj atyre që kanë përjetuar tashmë dhunë dhe trauma të thella”.

“Australia duhet të jetë e vetëdijshme për potencialin për shtrëngim, trafikim, skllavërim, shfrytëzim seksual dhe dëmtim kur bashkohet ose lidhet me një grup të armatosur joshtetëror, për të mos përmendur kujdesin dhe rekrutimin në internet për martesë, ose shërbime shtëpiake, punë për organizatën”, thuhej në letër.

Letra gjithashtu ngriti shqetësimin në lidhje me përdorimin e autoriteteve për heqjen e shtetësisë nga Australia, për të adresuar kërcënimin e terrorizmit.

Ai tha se individët e arrestuar në Sirinë Verilindore nuk kishin akses kuptimplotë tek avokatët dhe mund t’i nënshtroheshin “privimit arbitrar të shtetësisë”.

“Save the Children Australia” tha se në letrën e OKB-së theksohej se fëmijët ishin viktima të IS dhe duhet të kujdeseshin nga Australia si të tillë.

“OKB-ja ka thirrur Australinë për dështimin në përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj fëmijëve”, tha shefi ekzekutiv i “Save the Children Australia”, Mat Tinkler.

Ambasadorja e Australisë në OKB në Gjenevë, Amanda Gorely, në përgjigje të letrës së OKB-së, shkroi se Australia “mbetet e shqetësuar për situatën në Sirinë Verilindore” dhe e përshkroi atë si një “mjedis sfidues”.

“Australia merr parasysh të gjitha rrethanat kur i qaset çështjes së riatdhesimeve nga Siria dhe përgjigjet rast pas rasti”, shkroi Gorely në një letër të lëshuar gjithashtu të dielën.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore