Lajme

As pas Marrëveshjes s’do ketë njohje nga pesëshja e BE-së, thotë ish-politikani serb


Zharko Koraç

Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë në kohën kur vendi drejtohej nga ish-kryeministri, Zoran Gjingjiç, Zharko Koraç beson se pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian nuk do ta njohin shtetësinë e Kosovës edhe pas Marrëveshjes së dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Pasi sipas tij mes pesëshes mosnjohëse ka nga ato, si Spanja dhe Qiproja, që kanë arsyet e tyre të brendshme për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

“E kam parë që Prishtina është shumë optimiste për këtë çështje, por mendoj se gabojnë. Do t’ju jap një arsye. Siç e dini, Spanja ka probleme me Katalonian dhe Qipro ka probleme me të ashtuquajturën Republikën Turke të Qipros, të cilën s’e njeh asnjë shtet i botës përveç vetë Turqisë. Pra, këto vende kanë, si të thuash, arsyet e tyre të brendshme për të kundërshtuar”, ka thënë Koraç në një intervistë për Euronews Albania.

Koraç duke komentuar më tej Marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se nuk është optimist për këtë Ujdi, pasi sipas tij është e pakuptimtë se si nga njëra anë Vuçiç nuk e njeh Kosovës dhe nga ana tjetër ka një Marrëveshje që është detyruese për Serbinë.

“S’është ajo lloj marrëveshjeje për të cilën do të ketë zbatim të menjëhershëm. Kam frikë se kjo do të jetë një marrëveshje që do të ecë shumë ngadalë”, ka shtuar ai.

Në pyetjen se pse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, refuzoi të nënshkruaj Marrëveshjen e 18 marsit, Koraç thotë se është një taktizim i Vuçiç’it, i cili tenton ta zhbëj rendësin e Ujdisë duke treguar elektoratit të tij se kjo e fundit nuk është asgjë serioze.

Sipas Koraç, Vuçiç ka frikë nga partitë e vogla parlamentare që janë shumë më nacionaliste se ai të cilët akuzojnë atë për tradhti.

“Ai ka thënë para nja dy javësh apo muajsh që s’do të firmosë asgjë. Pra, ishte vetëm për publikun e tij që nuk e firmosi dhe mund të pretendojë që s’ka ndodhur asgjë serioze, le të themi, nga ana ligjore dhe politike. Por, është shumë i shqetësuar për demonstratat”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore