Shqipëria

ARRSH-ja ndërmerr aksionin rrugor për të parandaluar aksidentet


“Më 27 nëntor do të zhvillohet një aksion për evidentimin dhe mbylljen përfundimtare të të gjitha hyrje-daljeve të rrezikshme, të cilat nuk plotësojnë kriteret sipas standardeve në rrjetin rrugor kombëtar”.

Kështu u bë e ditur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në një njoftim në median sociale Facebook, të hënën e 22 nëntorit.

Në kuadër të përmirësimit të sigurisë rrugore ARRSH-ja do ta ndërmarrë projektin në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Më tej në njoftim thuhej se, “aksioni konsiston në mbylljen me mbrojtëse anësore metalike dhe hapjen e kanaleve anësore të mbyllura në mënyrë të paligjshme nga ana e bizneseve në anë të rrugës”.

Ndërkaq të gjitha bizneset të cilat plotësojnë kriteret për të vijuar me ushtrimin e aktivitetit të tyre, por që nuk janë pajisur me autorizimin përkatës, duhet të përgatisin dokumentacionin sipas legjislacionit në fuqi dhe të aplikojnë tek e-albania.

“Çdo projekt që do të paraqitet për hyrje-dalje, duhet të jetë i shoqëruar me një Raport Auditimi të Sigurisë Rrugore të përgatitur nga auditues i certifikuar”, e mbyll njoftimin ARRSH-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore