Lajme

Arrihet marrëveshje për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Malin e Zi


Danijela Gjuroviç

Përfaqësuesit e partive politike në Mal të Zi të mërkurën kanë arritur marrëveshje për të zgjedhur të paktën tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, për të zhbllokuar punën e gjykatës përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për 19 mars, ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviç.

Ajo tha se deri në mbledhjen e ardhshme të Komisionit Kushtetues do të bëhen përpjekje maksimale për arritjen e marrëveshjes dhe shumicës së nevojshme për zgjedhjen e kandidatit të katërt nga komuniteti jo-shumicë në Malin e Zi.

Mediat malazeze njoftuan për zgjedhjen e zëvendësës së Avokatit të Popullit, Snezhana Armenko, gjyqtares së Gjykatës Themelore të Kotorrit, Momirka Teshiç dhe Dragana Gjuranoviç, ish-Mbrojtëse e Interesave Pronësore dhe Juridike.

Kujtojmë se Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç iu votua mosbesimi në gusht, ndërsa në shtator, shumica e re (e vjetër) parlamentare, përkatësisht deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” arritën marrëveshje që mandatar për formimin e qeverisë malazeze të jetë Miodrag Lekiç.

Mirëpo, kur ia dërguan propozimin e nënshkruar nga 41 deputetë Gjukanoviç’it, ai refuzoi të konsultohet me Lekiç‘in, me arsyetimin se shumica nuk e ka respektuar afatin kushtetues për propozimin e mandatarit.

Më pas, shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për Presidentin, për të cilat Komisioni i Venecias vlerësoi se nuk janë në pajtim me Kushtetutën, ndërsa Komisioni Evropian apeloi që të respektohet zëri i ekspertëve juridikë ndërkombëtarë.

Gjukanoviç më pas nënshkroi dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Ligjin për Presidentin, duke theksuar se ky është obligim i tij kushtetues, por edhe se me këtë përfundon e gjithë puna e tij, sepse, siç shtoi ai, nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e dispozitave të ligjit, të cilat janë antikushtetuese.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kishin arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese.

Negociatat për formimin e qeverisë kanë dështuar ndërkohë dhe zyrtarë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë paralajmëruar vazhdimisht Podgoricën për ndërprerjen e negociatave për anëtarësim, nëse nuk sigurohet funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore