Lajme

Arrestohet personi që sulmoi KFOR-in në Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”


Ilustrim.

Policia ka arrestuar N.O., apo njohur dryshe me nofkat si “Nemac” dhe “Rusi”, pasi ka siguruar prova që i njëjti ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me 29 maj, në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat ‘Nemac’ dhe ‘Rusi’, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, thuhet në komunikatën e policisë.

“Rusi” dyshohet të jetë personi i njjëjtë, fotografia e të cilit, duke goditur me pendrek ushtarët e KFOR-it, u shpërnda në rrjete sociale.

Tutje është sqaruar se arrestimi i tij është bërë pas sigurimit të dëshmive.

Ndërsa, për veprimet e tjera do të jenë në koordinim me institucionet e drejtësisë.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore”.

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Nga Policia është thënë se do të vazhdohet angazhimi dhe përkushtimi i saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, u përkeqësuan edhe më tej, pasi shteti i Serbisë, arrestoj tre zyrtarët policorë të Kosovës.

Serbia po pretendon se policët nga Kosova u arrestuan thellë brenda territorit të saj.

Në anën tjetër Kosova tha se ata ishin brenda territorit të vendit.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore