Lajme

Arrestohet një zyrtar policor – dëmtoi provat nga aksioni për drogë në Zveçan


Foto nga aksioni nw Zveçan.

Të martën e 24 majit, një zyrtar policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë – Veri, është arrestuar për shkak të dëmtimit të provove.

Lajmin e ka bërë të ditur, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit, nga Inspektoriati Policor i Kosovës arrestohet një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë -Veri dhe dërgohet në mbajtje”.

Ai ka shtuar se do të ketë, “zero tolerancë ndaj krimit, posaqërisht atij brenda rradhëve të policisë!Për polici të pastër në shërbim të ligjit e qytetarëve!”.

Policia e Kosovës gjatë aksionit anti-drogë në Veri të vendit, të hënë e 23 majit e cila rezultoi me konfiskimin e një laboratori të drogës, është sulmuar me armë zjarri, ku me ç’rast në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja.

Laboratori i drogës, i cili u zbulua nga Policia e Kosovës, të hënën e 23 majit

Kështu është bërë e ditur në njoftimin 24-orësh i Policisë së Kosovës, në të cilën bëhet ditur se në drejtim të zyrtarëve policorë kanë shtënë persona të panjohur.

Nga të shtënat me armë zjarri nuk ka të lënduar, e as nuk njoftohet për ndonjë të arrestuar.

“Derisa njësitë policore ishin në kryerje të detyrës, të dyshuar të pa njohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtimi të zyrtarëve policor. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 26 gëzhoja të armës së zjarrit. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime nga njësitë relevante”, thuhet në njoftim.

Ndryshe një ditë më parë Policia e Kosovës, në fshatin Izvor të Komunës së Zveçanit, ka gjetur një laborator të drogës, në të cilin ndodheshin rreth 11 mijë fije marihuanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore