Lajme

Arifi e quan “diktator” Kurtin: Luginën e Preshevës e përdorë vetëm për vota


Shqiprim Arifi

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një paraqitje televizive në Klan Kosova, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij ndaj Luginës së Preshevës, duke e quajtur “diktator” dhe një njeri që “s’ka ndjenja” për shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë.

“Ne, normalisht proceset demokratike i vlerësojmë më lartë se ndonjë urdhër të ndonjë pseudo-diktatori dhe i kemi vazhduar proceset. Ai nuk e vëren, por është diktator pseudik. Është pak më mirë i veshur, me një kravatë ndryshe e një gjuhë ndryshe, por në thelb e ka atë ideologjinë diktatoriale”, tha ai.

Ai tha në momentin kur ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kishte humbur shumicën në Asamblenë Komunale, kreu i ekzekutivit i kishte telefonuar atij duke dashur në një moment të caktuar t’ia imponojë atij që të tërhiqet nga gara.

“Pas ardhjes tonë në pushtet vitin e kaluar, çdo vizitë e ka urdhëruar që të mos vijë më në Komunë të Preshevës, ka vizituar vetëm Komunën e Bujanocit dhe kaq. Çdo ministër që ka ardhur deri më tani, i ka thënë të mos shkojnë në Komunë të Preshevës”, deklaroi Arifi.

Ai po ashtu vlerësoi se Kurti e ka bërë një gabim, siç e cilësoi ai, shumë të madh kur ka rikujtuar edhe një herë se dikur, disa vite më parë, ishte një opsion tjetër për zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, por që u refuzua kategorikisht nga një pjesë e folësve publikë dhe pushtetit aktual, atëherë opozitë.

“Kur ish-presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, e ka ecën këtë kërkesë në nivel ndërkombëtar, Albin Kurti ka dalë kundër. Jo vetëm kundër me qëndrim, por edhe me një demonstratë kundër kësaj. E ka bërë atë të cilën ne shqiptarët e Luginës së Preshevës e kemi  kërkuar qysh prej vitit 1992, pra bashkëngjitjen, e Kurti e ka kundërshtuar”, tha Arifi.

Arifi: Familjarët e Besnik Bislimit keqpërdoren 1.2 milionë eurot e Qeverisë për Luginën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore