Shqipëria

Apeli i GJKKO-së zbardh vendimin për Shullazin dhe grupin e tij


Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur vendimin ndaj Emiljano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të grupit të tij, të dënuar në total me 55 vite burg.

Në vendimin nga tre anëtarët e Apelit të GJKKO-së, e kryesuar nga Miliana Muça dhe gjyqtarët Daniela Shirka e Astrit Kalaja, anëtarët e grupit Shullazi janë dënuar për zhvatje pasurie, kërcënim e grup të strukturuar kriminal.

Referuar vendimit ata janë shpallur fajtorë për krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe zhvatjen e pasurisë e kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka.

Për këto vepra i pandehuri Emiljano Shullazi u dënua me 14 vite burg, Gilmando Danin me 12 vite burg, Endrit Qyqjan dhe Endrit Zelën me nga dhjetë vjet burg, si dhe Blerim Shullazin me nëntë vite burg.

Nga ana tjetër grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.

Ndërkaq nuk dihet nëse Emiljano Shullazi do të drejtohet me rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar apelin lidhur me vendimin e apelit të GJKKO-së, për shkelje proceduriale.

Kujtojmë se vendimi i Apelit për Shullazin u dha më 3 dhjetor pa praninë e avokatëve.

Më 24 nëntor Apeli bëri të ditur se vendimi do të jepet përfundimisht më 3 dhjetor pas një sërë zvarritjesh të gjyqeve ndaj tyre, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore