Bota

Yemen/Ansarallah, jo më grup terrorist


Është anuluar vendimi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të shpallur lëvizjen politike Houthi, në Yemen, grup terrorist. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka informuar Kongresin mbi qëllimet për ta kthyer vendimin e Trump-it, i cili e shpalli grupimin terrorist përpara se të linte presidencën.

“Pas një rishikimi të hollësishëm, mund të konfirmojmë se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka për qëllim të kthejë vendimin e administratës Trump”, deklaroi një zyrtar i DASH-it. “Grupi i njohur si Ansarallah, nuk është më në listën e terrorizmit. Kongresi u njoftua zyrtarisht mbi këtë vendim”.

Vetë Blinken-i, e ka cilësuar atë të Yemen-it si “katastrofën humanitare më të madhe botërore”. “Vendimi ynë nuk ka të bëjë me pikëpamjen tonë mbi Houthi-t”, shtoi Sekretari i Shtetit.

Nga ana tjetër, zyrtari i DASH-it se cilësuar se, “SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë Arabinë Saudite në mbrojtjen e kufijve të saj”. “Vendimi mbi Ansarallah-un, lidhet vetëm me situatën humanitare atje”.

Më parë, Blinken-i kishte theksuar se “është me shumë rëndësi të bëhet gjithçka është e mundur për krizën e Yemen-it”. “Popullsia në Yemen është në nevojë të dëshpëruar. Ne duhet të ndërmarrim hapat e duhur për të asistuar qytetarët”.

Heqja e Ansarallah-ut nga lista e terrorizmit, vjen pas bllokimit që SHBA-ja i bëri mbështetjes së ofensivës saudite në luftën e Yemen-it. Tërheqjen e SHBA-së, e bëri me dije vetë presidenti, Joe Biden.

Këtu përfshihet edhe shitja e armëve ndaj sauditëve, përtej mbështetjes ushtarake. Vendimi i Biden-it, zgjoi pozitivitet në radhët e senatorëve amerikanë. Administrata Trump, kishte mbajtur tërësisht kahun saudit në këtë konflikt, pa asnjë kusht.

Ansarallah dhe lufta në Yemen

Lëvizja Houth-i, e njohur ndryshe si Ansarallah, është një lëvizje politike islamiste shiite, e armatosur dhe e mbështetur nga Irani, në Yemen. Grupimi ka për qëllim luftën kundër mos zhvillimit ekonomik të vendit dhe margjinalizimit politik.

Në vitin 2011, Houth-it morën pjesë në revolucionin e Yemen-it, duke marrë pjesë në protesta dhe duke koordinuar grupet opozitare. Ky grupim ka marrë kontrollin e disa rajoneve në Yemen, përfshirë atë të Sanaa-s, në 2014. Ata u ndihmuan për marrjen e kontrollit nga ish-presidenti Ali Abdullah Saleh, i mbështetur nga Arabaia Saudite.

Konflikti civil në Yemen lindi gjithashtu në 2012-ën. Vendi u nda në pesë rajone me grupime të ndryshme që i drejtojnë.

Pjesa më e madhe e vendit, kontrollohet nga qeveria e drejtuar nga presidenti Abdrabbuh Mansur Hadi. Yemen, njihet si vend anëtar i Ligës Arabe.

Houth-it kontrollojnë zonën e dytë më të madhe. Këshilli Jugor Transicional është rajoni i tretë më i madh. Një pjesë kontrollohet nga Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit në Provincën e Yemen-it (ISIL-YP). Ka edhe një zonë të pestë, të kontrolluar nga nga Al-Qaeda.

Konflikti kryesor është ai midis Houthi-ve, që janë shiit dhe Sunni-ve, i cili më pas u shpërnda edhe në rajone të tjera. Shqetësimet fillestare të SHBA-ve binin mbi ndikimin e Republikës Islamike të Iranit, në zonën e Yemen-it dhe rrjedhimisht kështu, kontrollin e kanalit të Hormuzit. Vëmendja kryesore e amerikanëve u vendos në mbështetjen e qeverisë zyrtare të shtetit në Lindjen e Mesme.

Në mars të 2015-ës, pati zëra se Arabia Saudite do të ndërhynte në Yemen. Grupimi i Houthi-ve, menjëherë deklaruan se nëse kjo ndodhte, Ansarallah do të pushtonte territorin jo vetëm deri në Mekë, por deri në Riyadh, kryeqytetin e Arabisë Saudite.

Konflikti u zhvillua më vonë me sulme nga të dyja palët, kërkesë për territore dhe sulme ajrore. Përtej një pushimi pak mujor, konflikti mbetet i ndezur dhe aktiv.

Lufta në Yemen, sipas Kombeve të Bashkuara, është konflikti që ka shkaktuar një nga krizat më të madha humanitare në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore