Shqipëria

Ambientet e punës po kthehen në skena krimi


Jo më larg se mesditën e 15 prillit, Policia e Tiranës njoftoi se në Kashar, një person rreth të 50-tave gjeti vdekjen, pasi ra nga lartësia e një objekti ku po punonte.

Pasditen e po së njëjtës ditë, po ashtu Policia njoftoi se një 19-vjeçar, i cili punonte në Portin e Durrësit, gjeti vdekjen pasi u aksidentua në vendin e punës.

Njëjtë edhe më 31 mars, një i ri 30 vjeç gjeti vdekjen në lagjen Kodër Shijak, pasi ishte duke punuar me vinç.

Skena në Portin e Durrësit

Njoftime të tilla për ngjarje të ngjashme, fatkeqësisht, nuk janë në rralla në Shqipëri, risjellin në vëmendje pasigurinë e punëtorëve në ambientet e punës.

Profesionet më të rrezikshme

Sipas Kristjan Zotos, përfaqësues i Organizatës Politike, profesionet më të rrezikshme për jetën në Shqipëri janë ai i minatorit, ndërtuesit dhe elektricistët.

“Profesionet më të rrezikuara në Shqipëri, edhe sipas statistikave të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) janë minierat, ndërtimi dhe elektricistët”, thotë Zoto për Albanian Post.

Më tej, ai shpjegon se “në 9 vitet e fundit ka pasur 627 aksidente në këto 3 sektorë nga 1 mijë e 311 aksidente gjithsej, ose rreth 47,8%. Kurse vdekjet në punë në këto 3 sektorë kanë qenë 159 nga 242 gjithsej, ose rreth 65.7%”.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe një aktivist i të drejtave të punëtorëve, i cili preferoi të qëndronte anonim.

Për Albanian Post, ai tha se profesioni më i rrezikshëm në Shqipëri është ai i minatorit.

“Kjo, sepse punëtori detyrohet të punojë me qindra metra nën tokë. Shpesh me rrezikun e shembjes së galerive apo rënies së masivit me gurë”, vijon aktivisti.

Por, shton ai, nuk mbeten pas as punëtorët e fasonerive, të cilët “punojnë mes solucioneve kimike ngjitëse dhe makinerive, të cilat janë gjithashtu të vjetruara” apo edhe punëtorët e ndërtimit, të cilët “rrezikohen prej mungesës së pajisjeve lidhëse gjatë punimeve në lartësi”.

“Së fundi kemi parë shpesh se aksidentet kanë të bëjnë me rënien e punëtorëve nga skelat e pallateve të larta që po ndërtohen”.

Roli i shtetit dhe sindikatave në sigurinë në punë

“Roli i shtetit në mbrojtjen e punëtorëve është pothuajse inekzistent”, ravijëzon Zoto për AP-në.

Protestë e organizuar nga Organizata Politike

Sipas tij, shumë organizata, përfshirë dhe OP-në kanë kryer dhe protesta të shumta për të ngritur zërin për numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën prej aksidenteve. Por zëri ka rënë në vesh të shurdhët.

“Ne si Organizatë Politike shpesh e kemi akuzuar qeverinë dhe institucionet si të kapura nga pronarët dhe oligarkët”, theksoi ai.

Sipas aktivistit të të drejtave të punëtorëve, as sindikatat nuk kanë luajtur rol të rëndësishëm, pasi nevojat e punëtorëve “minohen”, për shkak të disa faktorëve tërësisht socio-politike.

Mungesa e sindikatave sjell mangësi në të drejtat e punëtorëve, vijon aktivisti, “fillon nga mungesa e një shteti social që kujdeset si për klasat dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë, deri te pakujdesia, ndaj atyre që prodhojnë e ndërtojnë për shoqërinë, që punëtori të mos jetë i harruar në guvën e vendit të punës”.

Por, punëtorët hasen me vështirësi edhe po të duan të krijojnë një sindikatë të tyren.

Sipas Zotos, 3-4 vitet e fundit ka patur disa sindikata të reja që kanë lindur nga organizimi i vet punëtorëve.

“Organizimi është shumë i vështirë, edhe sepse pronarët kanë ndikim në media dhe Qeveri. Siç ishte edhe rasti i grevës së minatorëve të Bulqizës, ku pothuajse 99% e mediave heshtën, bashkë me Qeverinë dhe opozitën”.

Nga ana tjetër, në një dalje publike të Inspektoriatit të Punës (ISHPSHSH), ky i fundit sqaron se institucioni “po kryen punën e tij nëpërmjet instrumenteve të dhëna me ligj, duke hetuar rastet dhe aktualisht duke pezulluar punën në këto subjekte ku kanë ndodhur aksidente”.

Institucioni i ISHPSHSH-së

Sipas ISHPSHSH-së, ngjarjet që ndodhin në ambientet e punës hetohen “administrativisht nga Inspektorati i Punës”.

Kjo, pasi në shumë raste, “nuk është i vetmi organ i përfshirë në këtë proces, sepse shpeshherë rrethanat sesi ka ndodhur janë të paqarta dhe aksidenti nuk ndodh gjatë kryerjes së punës sipas përshkrimit të saj dhe në këto raste bashkëpunohet me organet e policisë dhe të prokurorisë për një hetim gjithëpërfshirës”.

Për përmirësimin e kushteve të punës dhe kontrollin e sigurisë së punëtorëve, Inspektorati i Punës duhet të ketë një rol të veçantë.

Ai duhet të rrisë sasinë e llogarimarrjes, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj ndërmarrjeve, apo edhe punëtorëve, të cilët tregohen të pakujdesshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore