Lajme

Alarmi për dhunën në Meksikë, Ministria e Brendshme: Mbi 100 mijë të zhdukur, ndër ata shumë gazetarë


Më shumë se 100 mijë njerëz janë zhdukur në Meksikë.

Është hera e parë që të dhënat e Ministrisë së Brendshme e kalojnë këtë prag, duke nënvizuar edhe një herë shkallën e lartë të dhunës së përhapur në vend, veçanërisht pasi ish-presidenti Felipe Calderon shpalli “luftën kundër krimit të organizuar” dhe trafikantëve të drogës në vitin 2006.

Regjistri i personave të zhdukur tani përfshin 100 mijë e 12 emra të personave të zhdukur midis 15 marsit 1964 dhe 16 majit 2022, me një kulm “disproporcional” në 2006-ën.

Që nga ai vit, ka pasur të paktën 350 mijë vdekje nga dhuna e përhapur në vend. Vitin e kaluar, mesatarja ishte 94 vdekje në ditë.

“Krimi i organizuar është bërë fajtori kryesor në zhdukjen e njerëzve në Meksikë, me shkallë të ndryshme të pjesëmarrjes, heshtjes apo veshit të shurdhët nga ana e zyrtarëve publikë”, theksoi komiteti i OKB-së për zhdukjet me forcë në prill, në përfundim të një misioni në Meksikë.

Në raport theksohet edhe se, në mesin e të “zhdukurve” ka dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

“Pjesët e shtetit janë drejtpërdrejt përgjegjëse për zhdukjet me forcë nga ana e zyrtarëve publikë, por mund të jenë përgjegjës edhe për ato që u atribuohen organizatave kriminale”.

Po ashtu, pasqyruar në raport, është fakti se midis viteve 2003 dhe 2021, më shumë se 30 gazetarë janë të zhdukur.

Disa organizata të shoqërisë civile meksikane theksojnë se shumë familje kanë aq pak besim tek autoritetet, saqë nuk raportojnë zhdukjen e të dashurve të tyre.

Pra, fenomeni i të “zhdukurve” do të ishte shumë më i gjerë se të dhënat zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore