Lajme

Agjenda Anti-Vax në Evropë


Për ofruesit e konspiracionit, vaksina anti-COVID-19 është komploti përfundimtar ndaj njerëzimit. Tërësia e gjerë e fantazive konspirative përfshin idenë që vaksina nuk ekziston aspak. Ashtu edhe faktin se e gjitha kjo është pjesë e një plani ogurzi të orkestruar nga një elitë globale për të kontrolluar trupat e njerëzve.

Të enjten e 25 marsit, anëtarët ndërkombëtarë të Parlamentit Evropian janë tejmbushur nga mijëra e-mail elektronikë. Këto, të organizuara nga aktivistët anti-vaksininim dhe anti-lockdown. Kjo është një përpjekje për të ndaluar futjen e certifikatave të vaksinave, të cilat synojnë të lehtësojnë rifillimin e udhëtimeve në Bashkimin Evropian.

Certifikatat digjitale të BE-së do të dëshmojnë nëse njerëzit janë vaksinuar, testuar negativisht ose janë rikuperuar nga Covid-19.

Shumë nga postat elektronike janë kopje të një teksti model, të shpërndarë në internet nga një rrjet aktivistësh. Këta të fundit hedhin dyshime mbi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave Covid-19. Ata e përshkruajnë çertifikatën si “të njëjtë me imponimin e letrave të udhëtimit për hebrenjtë nga nazistët”.

Franca Anti-Vax

Franca është një ndër vendet më skeptike në botë ndaj vaksininimit. “Ajo njihet si tokë pjellore për aktivistët e vijës së ashpër anti-vaksinim që përhapin dezinformata në internet”, shkruan reporterja specialiste e dezinformimit për BBC-në, Marianna Spring.

BBC mori në shqyrtim një personazh atipik anti-vax të quajtur Gilles (Zhil). Ai ndihmon në drejtimin e një grupi Facebook në gjuhën frënge me tematika konspiracioni. Sakaq, ajo regjistron 50 mijë anëtarë, shumë prej të cilëve përhapin gënjeshtra rreth koronavirusit.

Ai u anëtarësua menjëherë pas fillimit të pandemisë, gati një vit më parë.

“Ndjeva brenda meje se e gjitha kjo gjë ishte e mbivlerësuar dhe e gabuar”, thotë Gilles. Ai nuk e mohon, si disa të tjerë në grup, që Covid-19 është i vërtetë. Në vend të kësaj ai strehon dyshime të paqarta në lidhje me sëmundjen, shërime të mundshme dhe fshehje të pretenduara.

Kërkimet nga BBC Monitoring, zbuluan se numri i ndjekësve të faqeve që ndajnë përmbajtje ekstreme anti-vaksinë në frëngjisht u rrit në vitin 2020, nga 3.2 milionë në gati 4.1 milionë pëlqime.

Këto faqe nuk kanë të bëjnë me pyetje të ligjshme mjekësore. Ato janë milje larg diskutimeve shkencore dhe politike që po zhvillohen aktualisht në Evropë dhe gjetkë.

Në vend të kësaj, ata drejtohen nga njerëz që kanë vendosur në mënyrë të vendosur kundër vaksinimeve. Këta të fundit përhapin thashetheme të rreme për vaksinat që vrasin miliona, që përmbajnë pajisje gjurmuese ose që ndryshojnë ADN-në tonë.

Vaksinimi anti-Covid-19 aktualisht nuk është i detyrueshëm në Francë, megjithëse fëmijëve u kërkohet ligjërisht të vaksinohen kundër disa sëmundjeve.

Gjermania Anti-Vax

“Unë nuk do të vaksinohem,” i tha Reuters me një buzëqeshje Christoph Hueck. Ai ishte një gjenetist molekular, autor i një vargu artikujsh imunologjie përpara se të ndryshonte karrierë.

Tanimë 59 vjeç, ai trajnon mësues për kopshtet Waldorf të frymëzuara nga mendimtari ezoterik Rudolf Steiner. Ai gjithashtu ka adresuar disa protesta kundër lockdown-it dhe anti-vaksinimit, megjithëse nuk i hedh poshtë vaksinat.

“Jam i bindur që nëse do të infektohem kudo, do ta përballoj sëmundjen”, tha ai lidhur me virusin. “As unë nuk jam i vaksinuar kundër sëmundjeve të tjera, përveç kur udhëtoj në vendet tropikale, aty ku është e detyrueshme”.

Pothuajse një e treta e gjermanëve, 31%, thanë në një sondazh të kryer në dhjetor se nuk do të merrnin një vaksinë koronavirus. Një numër që rritet dhe po kap pothuajse gjysmën e Francës fqinje.

Kancelarja gjermane Angela Merkel shqetësohet se skepticizmi kundrejt vaksinave mund të bllokojë planet. Rruga për të dalë nga kjo pandemi vështirësohet sipas saj. Covid-19 ka vrarë qindra mijëra njerëz në të gjithë kontinentin, ka shkatërruar ekonomitë dhe ka mbyllur miliona njerëz në shtëpitë e tyre.

“Nëse më shumë se 40% ose 50% e njerëzve refuzojnë një vaksinë koronavirusi, atëherë do të mbajmë maska për një kohë shumë të gjatë”, u tha ajo ligjvënësve gjermanë në një debat vitin e kaluar, duke iu referuar niveleve shumë të larta të masave të nevojshme për të ndaluar përhapjen e virusit.

Në Shqipëri ka patur angazhime dhe marshime të ngjashme kundër vaksinimit dhe ekzistencës së virusit. Shumica vijojnë ende të kundërshtojnë inokulimin e dozave, me të njëjtat motivacione, transformime gjenetike, gjurmime etj. Lajm i mirë është që vaksinimi ka hyrë në fazën më aktive dhe masive të saj.

Mbrëmjen e 28 marsit, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, pohoi se shifrat e ditës së parë së vaksinimit masiv, ishin pothuajse 12 mijë të vaksinuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore