Lajme

Abdixhiku pas takimit me gazetarë: Gjendja është e rëndë, LDK s’mund të qëndrojë duarkryq, do ta takoj edhe Osmanin


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas takimit me gazetarët ka paralajmëruar se do të ketë takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai tha se në takim me gazetarët kanë prezantuar disa pika të cilat pastaj do të bëhen publike.

“Gjendja është e rëndë e zymtë, LDK nuk mund të qëndrojë duar kryq. Kosova nuk mund të jetë peng e një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot. Kemi prezantuar disa pika, në fund do ta bëjmë publike. Do të vazhdojmë edhe me të tjerët përfshirë edhe me presidenten”.

Abdixhiku, tutje ka bërë të ditur edhe takimet që do të ketë javëve të ardhshme.

“Pas këtij takimi ne do të takojmë organizata të shoqërisë civile, takimi i tretë do të jetë me botën akademike dhe ish-diplomatë të Kosovës dhe takimi i katërt do të jetë me sektorin privat, pra me biznese të Kosovës”.

Ndërsa, tutje ka sqaruar disa nga pikat që ka prezantuar në takim me gazetarët.

“Ne jemi fazën e konsultimit, kemi prezantuar disa pika të planit por sot e kemi nisur një ide se si do të dilet nga kjo krizë duke përfshirë krizën e sigurisë në Veri, çështjet e obligimeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në familjen euroatlantike, pasi kështu besojmë që është rruga e duhur për përpara”.

Abdixhiku, nga gazetarët u pyet për vlerësimin që ka pasur për procesin e “Ballkanit të Hapur” edhe pse Kosova nuk ishte pjesë e këtij procesi.

“LDK-ja ka pasur qëndrim të qartë, ne kemi besuar që ky ka qenë një projekt politik. Kemi besuar në procesin e Berlinit që nga fillimi, meqenëse ka pasur mekanizma kontrollues, monitorues dhe financiarë jashtë Ballkanit Perëndimor dhe mbi të gjitha ka pasur vullnetin e të gjitha palëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimorë”.

“Procesi i Ballkanit të Hapur ka qenë një nismë gjysmake, pa pëlqimin e palëve në këtë proces, prandaj u bë mirë që ka përfunduar akoma pa nisur”.

Abdixhiku, u pyet edhe për ardhjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në Kosovë duke thënë se “është gjithmonë i mirëpritur në Kosovë”.

“Natyrisht që kryeministri i Shqipërisë është i mirëpritur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë pritjen ose jo të tij tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova. Kryeministri është i mirëseardhur gjithmonë në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa edhe deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili pas kritikave që kanë marrë për këtë takim me gazetarë ka thënë se ishte “plotësisht takim normal” dhe “pa asnjë shenjë partiake”.

“Një takim normal, plotësisht normal, për shkak të një situate jonormale në vend; një takim të shëndoshë, madje pa asnjë shenjë partiake, me gazetarë dhe opinionistë, në mes të Prishtinës, për t’a diskutuar gjendjen dhe orientimin diplomatik të Kosovës – pushteti e mbështetës të pushtetit kanë vendosur ta shtrembërojnë. Dehumanizojnë”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo tutje ka thënë se kjo është “injorancë e paskajshme” duke pyetur se “Kush ka mbetur i mirë për ju në këtë vend?”.

“Vetëm ata që mendojnë si ju dhe ekskluzivisht takohen vetëm me ju dhe askënd tjetër?”.

Kica-Xhelili i ka dhënë edhe një propozim pushtetit.

“Merreni një ishull e vetizolohuni atje e po të doni çmenduni brenda panikut tuaj. Kosova e tillë nuk është e nuk ju lejojmë ta shndërroni në të tillë”.

Më 29 qershor, kryetari, njëherësh edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku kishte paralajmëruar se do të prezantoj një plan për daljen nga kriza dhe izolimi i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore