Lajme

Abdixhiku: Ju prezantoj planin për dalje nga kriza dhe izolimi


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar se do të prezantoj një plan për dalje nga kriza dhe izolimi i Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku ka thënë se fillimisht për ta prezantuar këtë plan do të ftoj akterë të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera.

“Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë”.

“Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se Kosova në raport me ndërkombëtarët asnjëherë nuk ka qenë më keq sesa aktualisht.

“Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën”.

Sipas tij, kryeministri që ka Kosova nuk mund të bëj atë shtet evropian.

“Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit”.

“Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur”.

Ndër të tjera ka shtuar se, “e vërteta është e trishtë”.

Kurse, konsideron se me planin e tij Kosovës do t’i hapet një rrugë e re.

“Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”.

“Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore