Lajme

Abdixhiku: Me rënien e familjes Jashari lindi përpjekja jonë për liri, shtet dhe pavarësi


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz për nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Abdixhiku në një paraqitje për mediat, tha se në përvjetorin e Epopesë nderohet rënia e familjes Jashari dhe se aty lindi përpjekja për liri.

“Sot nderojmë 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, nderojmë datat 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, ku në këtë tempull të sotëm rënë heroikisht familja Jashari, komandanti legjendar Adem Jashari dhe me këtë rënie të tyre lindi edhe përpjekja jonë finale për liri, për shtet dhe për pavarësi”, tha Abdixhiku.

Teksa, shtoi se mbi sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes së tij qëndron edhe rrugëtimi për një shtet të barabartë mes shteteve evropiane.

“Mbi sakrificën ultime të komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëndron edhe rrugëtimi jonë i ardhshëm për një shtet të barabartë mes vendeve evropiane dhe këtë rrugë në këtë ditë duhet ta kujtojmë gjithnjë edhe si shenjë uniteti të brendshëm edhe si përpjekje të pashtershme të popullit tonë.

“Lavdi gjithë të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviçi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore