Lajme

AAK-ja tryezë diskutimi për librat, tregojnë 10 problemet që shkaktoi vendimi i MAShT-it


Ramush Haradinaj dhe Besnik Tahiri

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka organizuar këtë të premte tryezë diskutimi për çështjen e dështimit të Ministrisë së Arsimit për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit.

Pas kësaj tryeze, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se janë evidentuar 10 probleme kryesore të këtij vendimi të MAShT-it për tekstet mësimore.

Fillimisht ai pohoi se vendimi i Qeverisë “konsiderohet i jashtëligjshëm”, si dhe “i pa konsultuar me institucionet e arsimit primar, që janë përgjegjëse në ofrimin e shërbimeve, që shteti ua ka deleguar t’i ushtrojnë deri në fund”, duke shtuar se “është vendim i cili e ka çrregulluar një sistem të ofrimit të teksteve mësimore që garantohen me ligj”.

“Pabarazia sociale në institucion publik në mes të varfërve dhe të pasurve, për shkak se të pasurit i gjejnë më shpejt librat, ndërsa të varfrit që e kanë të garantuar prej shtetit t’i marrin librat, nuk i kanë. Prej 30% deri në 60% e nxënësve, sot në ditën e tetë, nuk i kanë librat. Kjo varion prej 30% deri në 60%”, shtoi.

Ai ngriti edhe shqetësimin sa i përket aplikimit online përmes platformës eKosova, pasi që sipas tij, “kanë shpërfaqur mos informim të qytetarëve, mundësitë e manipulimit të buxhetit të Kosovës të aplikimit të dyfishtë, të atyre që janë në diasporë dhe keqpërdorim të të dhënave personale të cilat mbrohen me ligjin në fuqi”.

“Librat e vjetër janë të papërdorshme. Librat që janë pronë e një nxënësi merren dhe kthehen te dikush tjetër, por që nuk janë të përdorshme. Buxheti prej 50 euro për tekste dhe 30 euro për fletore e gjësende tjera, nuk mjafton”, vlerësojnë nga kjo parti.

Si problematika të tjera nga kjo parti kanë përmendur edhe “ngarkesa që po i behet buxhetit të konsoliduar të Kosovës – së paku është dyfishuar kostoja buxhetore që shteti e paguan për këtë çështje”.

“Është shtuar kostoja financiare dhe kohore për prindër. Trajtimi i fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe fëmijëve që janë të pakicave dhe minoriteteve etnike. Keqpërdorimi nga disa librari që po e bëjnë me këtë vendim, në mënyrë që të pasurohen”, bëri me dije Tahiri.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadash të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore