Libra

41 sekretet e Ben Blushit


“Është një libër që nuk besoja se do ta shkruaja ndonjëherë. Nuk është roman, nuk është novelë, nuk është ese, nuk është album fotografik”.

Titullohet “41 sekrete”.

Dhe do të jetë libri i radhës nga Ben Blushi. Po pret të botohet.

Ai nuk e përfshin në asnjë kategori sepse është një libër me sekrete. Dhe meqë është i tillë, nuk mund ta mbante më sekret.

Libri, siç njoftohet edhe nga titulli, trajton 41 personazhe me nga 41 sekrete.

Bëni i ka fotografuar. Ka rrëfyer për ta.

Janë njerëz, jetët e të cilëve janë pjesë e pandarë e historisë së Shqipërisë në 100 vitet e fundit.

Për të, ata janë të njohur, të panjohur, burra, gra, të afërm, të huaj, njerëz që i do, që e duan, që nuk e duan ose që nuk ka pse t’i dojë.

“Janë të famshëm, të suksesshëm apo të dështuar, janë në punë, pa punë, në pension, janë aktivë, janë në luftë, janë sulmues, të sulmuar apo viktima”.

Por janë edhe njerëz që shijojnë shkëlqimin e së tashmes apo yjet e të shkuarës, që jetojnë në errësirën apo perëndimin e një shoqërie të mbushur me kontraste dhe zhgënjime.

Ata i kanë besuar Benit të fshehtat e tyre të mëdha ose të thjeshta, që nga histori tragjike familjare deri te mënyra se si flenë dhe çfarë mendojnë.

I kanë treguar jo vetëm pjesë nga jeta e tyre, por edhe nga jeta e tij.

Pse 41?

Sepse Benit i pëlqen ky numër. Për shkak të ngjashmërisë anatomike që ka numri 4 me numrin 1. “Janë si dy shkopinj me sqep dhe qëndrojnë bashkë në mënyrë simetrike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore