Lajme

30 vjet burgim për Pjetër Ndrecajn


Pjetër Ndrecaj, i akuzuar për vrasje të gruas dhe vajzës është dënuar me 30 vite burgim nga Gjykata e Apelit në Kosovë.

Apeli ia ka ashpërsuar dënimin me burgim Ndrecajt nga 24 vjet e gjashtë muaj sa ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Sipas vendimit të Apelit, “deri të ngritja e  dënimit erdhi pasi që Gjykata e Apelit konkludoi se gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese”.

“I pandehuri edhe më parë është sjellë në mënyrë të dhunshme me bashkëshorten se veprën penale e ka kryer në shtëpinë e familjes së saj, në prezencë të anëtarëve të familjes, se ka privuar nga jeta edhe vajzën e tij si dhe një mori rrethanash tjera”.

Tutje në vendimin e kësaj gjykate thuhet se në këtë rast ka zbatuar dispozitën e nenit 42 të Kodit Penal të Kosovës, sipas së cilës parashihet që për veprat penale të shqiptohet dënim jo më pak se 10 vjet, apo dënim me burgim të përjetshëm, gjykata mund të shqiptoj dënim me burgim deri në 35 vjet.

Tri vite më parë, Ndrecaj ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata Themelore e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Por këtë aktgjykim e kishte prishur Gjykata e Apelit një vit më pas, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, këtë aktgjykim të Apelit, Gjykata Supreme kishte vendosur ta kthejë në rigjykim pasi kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore