Lajme

18-vjeçari, i pafajshëm për vrasjen e dy burrave në SHBA: S’ka të bëjë me racizmin


Kyle Rittenhouse lirohet nga të pesë akuzat kundër tij në vrasjen e dy burrave dhe një tjetër i plagosur gjatë protestave kundër padrejtësisë racore në Kenosha, Wisconsin në vitin 2020.

Kyle Rittenhouse, adoleshenti i cili u shpall i pafajshëm javën e kaluar, edhe pse vrau dy burra gjatë një demonstrate kundër padrejtësisë racore në Kenosha, Wisconsin, ka deklaruar se rasti i tij “nuk ka të bëjë me racizmin”.

“Kishte të bënte me të drejtën për vetëmbrojtje”, tha Kyle Rittenhouse për agjencinë e lajmeve amerikane “Fox News”, duke shtuar se ai mbështeti lëvizjen “Black Lives Matter” (BLM).

18-vjeçari vrau dy burra dhe plagosi një të tretë në qytetin e Kenosha-s më 25 gusht 2020.

Lirimi i tij ndau në mes SHBA-të: Një patriot për disa dhe një vigjilent për të tjerët.

Reagimi i nënës së Kyle Rittenhouse, Wendy Rittenhouse, pasi djali i saj u lirua nga të gjitha akuzat

Pjesa më e madhe e komenteve të medias amerikane u ndal te çështja e racizmit, megjithëse Rittenhouse është i bardhë, ashtu si edhe të tre burrat që ai qëlloi.

Rittenhouse për programin “Tucker Carlson Tonight të Fox News” tha në vijim se, “unë nuk jam një person racist. Unë mbështes lëvizjen BLM. Unë mbështes demonstrimin në mënyrë paqësore. Besoj se duhet të ketë ndryshim”.

18-vjeçari tha se zjarrvënësit, që rrafshuan bizneset në Kenosha gjatë trazirave të vitit të kaluar, ishin “oportunistë duke përfituar nga lëvizja BLM”.

“Jam dakord me lëvizjen BLM, jam dakord që të gjithë kanë të drejtë të protestojnë dhe të mblidhen. Por nuk jam dakord që njerëzit kanë të drejtë të djegin qytetet amerikane në përpjekje për të përhapur mesazhin e tyre. Mendoj se ka mënyra të tjera për ta bërë këtë”.

Një protestues qëndron jashtë gjykatës së Qarkut Kenosha, të mërkurën, 17 nëntor 2021 në Kenosha, gjatë gjyqit për vrasjen e Kyle Rittenhouse.

Gjithashtu Rittenhouse tha se ai mendonte se, “ka shumë sjellje të pahijshme prokuroriale, jo vetëm në rastin tim, por në raste të tjera”.

I armatosur me një pushkë AR-15, Rittenhouse qëlloi për vdekje Joseph Rosenbaum, 36 vjeç, Anthony Huber, 26 vjeç, dhe plagosi 27-vjeçarin Gaige Grosskreutz, duke dëshmuar se ai hapi zjarr në vetëmbrojtje.

Ai ishte përballur me pesë akuza, duke përfshirë vrasje me dashje.

Dy net para se të dilte në Kenosha vitin e kaluar, duke thënë se donte të ndihmonte në mbrojtjen e bizneseve mes trazirave, policia kishte qëlluar pas shpine një person me ngjyrë.

Ky i fundit, Jacob Blake, ishte i armatosur dhe mbeti i paralizuar.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, postoi në Twitter një video që duket se e lidh Rittenhouse, pa asnjë provë, me supremacistët e bardhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore