Sport

119 vjet ‘Los Blancos’, historia përtej imagjinatës


6 mars 1902 ishte data kur erdhi në jetë një klub që, pas një shekulli dhe afro dy dekadash, do të shndërrohej në më të mirin e historisë, në sytë e gjithë botës.

Madrid Football Club

Ky është emri i parë i klubit që u krijua nga dinastia e atëhershme e kohës, me në krye Julian Palacios. Presidenti i parë, në krye të skuadrës që sot njihet si Real Madrid.

Do të kalonin tre vjet dhe madrilenët do të fitonin trofeun e parë, në finalen e Kupës së Mbretit përballë Athletic Bilbao.

“First of many”, siç është urimi i famshëm në gjuhën angleze për një “nisje të mbarë”, do të ishte me të vërtetë i mbarë për Real Madrid-in.

Madrilenët janë një ndër skuadrat që krijoi “RFEF”, që sot njihet si Federata Spanjolle e Futbollit.

Duhej të pritej deri në vitin 1920, që klubi të merrte emrin që mban sot “Real Madrid”. Kjo, me urdhër të mbretit spanjoll të kohës, Alfonso i tretë.

Pas nëntë vitesh u krijua edhe Liga Spanjolle e Futbollit, që sot njihet me emrin “La Liga”.

Liga e parë do të fitohej nga Barcelona në javën e fundit, pasi Real Madrid la pikë në ndeshjen vendimtare përballë Athletic Bilbao-s.

Titullin e parë, madrilenët e kanë fituar në sezonin 1931/’32. Një vit më pas u shndërruan në ekipin e parë që fitonte dy tituj të ligës spanjolle.

Një kalim i shpejtë në ditët e sotme: Real Madrid është skuadra më e titulluar me trofe lige në Spanjë, 34 gjithsej, tetë më shumë se ndjekësi më i afërt, Barcelona, që ka 26.

Koha e Santiago Bernabeu-s dhe suksesi në Evropë

Santiago Bernabeu do të bëhej president i Real Madrid në vitin 1945. Fillimisht dha urdhrin që të rikonstruktohej stadiumi dhe qendrat stërvitore të klubit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në 1950, Real Madrid krijoi klubin e të rinjve, që sot njihet si “La Fabrica”.

Bernabeu, në vitin 1953, do të fillonte strategjinë e tij të nënshkrimit me lojtarë kualitativë nga jashtë vendit. Emri më i spikatur ishte ai i legjendarit Alfredo Di Stefano.

Pak e dinë, por ajo që njihet sot si Champions League, erdhi falë idesë së një gazetari francez të L’Equipe, Gabriel Hanot.

Pas propozimit të tij u krijua liga, e cila përfshinte kampionët e ligave evropiane, “European Cup”.

Nën udhëheqjen e Bernabeu-t në tribuna, me magjinë e Alfredo di Stefano në fushë, Real Madrid fitoi pesë edicionet e para të European Cup.

Dinastia evropiane

Sot, Real Madrid-i është skuadra me më shumë trofe të EC + CL, total 13.

Numër fatkeq, por në këtë rast historik.

Në vitin 1966, Real Madrid do të fitonte një tjetër “Europan Cup”, para se të kishte një “shterpësi” 32-vjeçare në këtë aspekt.

Ishte viti 1998, kur për Real Madrid-in filloi rrugën e suksesit edhe në Champions League.

Çift ishin numrat me fat për madrilenët, përballë Juventus-it 98, Valencia-s 00 dhe Leverkusen-it 02. Këto ishin “viktima” të Real Madrid-it në netët historike të finaleve.

Nën udhëheqjen e galaktikëve big, si: Ronaldo, Figo, Zidane, Carlos, Beckham dhe superyjeve spanjollë, si: Casillas, Hierro, Guti, Raul, Redondo, Morientes dhe shumë të tjerë, Real Madrid-i arriti në nëntë Champions të fituar.

Ronaldo, Bale, Benzema, Ramos, Modric, Kroos, Isco, Carvajal, Casemiro, Marcelo e të tjerë, do ta shtonin këtë numër në 13, me triumfin e vitit 2014, dhe tre triumfet me radhë nga 2016 në 2018, duke u bërë kështu skuadra e parë që fiton “Champions-in” në tre vite radhazi.

Një dinasti evropiane, një mrekulli më vete, një legjendë e gjallë, një makineri e pandalshme, përtej çdo imagjinate…

119 vjet

Ka shumë për të shkruar, por ndonjëherë pak fjalë përmbledhin shumë gjëra.

Nën petkun e legjendave, si: Di Stefano, Butragueno, Zidane, Figo, Hierro, Ramos, Cristiano dhe shumë të tjerëve që kanë shkruar faqe të rëndësishme në librat e historisë mbretërore, Real Madrid-i mban epitetin e skuadrës më të madhe të të gjitha kohërave.

Skuadra e vetme që ka fituar trofeun e shekullit XX si ekipi më i mirë; skuadra me më shumë trofe evropianë dhe me më shumë tituj lige; me më shumë kupa bote e shumë momente historike, sot mbush 119 vjet.

“Çfarë është Real Madrid-i? Unë them, është ndjenjë”, thoshte legjendari Di Stefano.

Mes urrejtjes, zilisë dhe dashurisë, i ndjeri Santiago Bernabeu, figura më e madhe e këtij klubi, dikur thoshte diçka që gjithmonë do të ngelet në mendjen e madrilenëve.

“Fanella e Real Madrid-it është e bardhë, mund të njolloset me baltë, me djersë, madje edhe me gjak, por asnjëherë me turp”.

Pa marrë parasysh situatën, gjendjen në futboll apo formën mbretërore, Real Madrid-i gjithmonë do të jetë qendër i vëmendjes, një debat super i rëndësishëm në botën futbollistike.

Historia përtej imagjinatës, urime 119 vjet Real Madrid!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore