Sport

Dovbyk, pasuesi i Osimhen te Napoli


Artem Dovbyk

Victor Osimhen do të jetë një nga protagonistët e merkatos së ardhshme. Nigeriani do të largohet nga Napoli dhe në këtë moment PSG-ja e re pa Kylian Mbappe-n është më e pozicionuara për të marrë shërbimet e tij.

Nigeriani rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2026, me një pagë prej rreth 10 milionë euro neto në sezon, por marrëveshja përfshinte një klauzolë lirimi, 130 milionë euro, që lehtëson largimin e tij.

Presidenti i Napoli-t, Aurelio de Laurentiis një vit më parë kërkoi 200 milionë euro.

Drejtori i ri sportiv i Napoli-t, Giovanni Manna, tashmë ka një listë të gjatë të zëvendësuesve të mundshëm për yllin e ekipit të tij. Favoriti për momentin është Jonathan David nga Lille, e njëjta skuadër nga e cila erdhi edhe Osimhen, por atyre iu pëlqen edhe Terem Moffi, qendërsulmues i Nice-s.

Santiago Gimenez nga Feyenoord është një tjetër alternativë.

Ndërsa, gazeta “Il Mattino” tregon edhe një profil nga La Liga: Artem Dovbyk. Ukrainasi është një nga heronjtë e Girona-s, me 19 golat e tij dhe shtatë asistimet në 35 paraqitje këtë sezon, dhe për gazetën napolitane ai do të mirëpriste një aventurë në Serie A.

Napoli do të jetë në gjendje të sulmojë merkaton me muskuj financiarë. Me shitjen e Osimhen, ata planifikojnë të investojnë rreth 50 milionë euro për trashëgimtarin e tij, një pjesë kyçe e projektit të ri që thuhet se do të drejtohet nga një nga Antonio Conte, Stefano Pioli, Gian Piero Gasperini ose Vincenzo Italiano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore