Shqipëria

Zjarret në Shqipëri/ Shumëfishim i forcave në terren, angazhohen edhe operatorë privatë


Forcat për ndërhyrje në shuarjen e vatrave të zjarrit në Shqipëri do të shumëfishohen dhe do të ketë mundësi të kontraktohen për fikjen e tyre edhe operatorë privatë apo mekanizma operacionalë të huaj, aty ku shihet mundësia.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili pas mbledhjes së Komitetit të Mbrojtjes Civile, mbajti një deklaratë për shtyp nga qarku i Vlorës, ku edhe ndodhet vatra më e rrezikshme e zjarrit, ajo e gadishullit të Karaburunit.

Peleshi ka bërë me dije se baza ushtarake e Pashalimanit, ndodhet tashmë jashtë rrezikut. Kjo, pasi Forcat e Armatosura kanë mundur të shmangin avancimin e flakëve drejt saj.

Po punohet gjithashtu edhe për evitimin e përfshirjes së parkut të Llogarasë nga flakët.

“Parku i Llogarasë ndodhet ende dy kilometra larg, por duam të shmangim me çdo kusht shtrirjen e zjarrit në park”.

Mbi kërkesën e ndihmës nga vendet mike, ministri e cilësoi situatën delikate, pasi edhe në to ka zjarre të shumta. Këtu ai përmendi Turqinë, Greqinë dhe Italinë, të cilat ndodhen në pozita më të vështira se Shqipëria.

Për sa i përket mjeteve të ndërhyrjes nga ajri, Shqipëria deri sot ka funksionuar me vetëm një helikopter ndihmës nga ajri. Por, me nisjen e operacioneve të reja, ata do të bëhen tre.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me forcat në terren, të cilat do të shumëfishohen.

Operacionet e para kanë filluar që në agim, në zonën e Dukatit. Mbi 200 trupa kanë qenë të angazhuar në Vlorë deri tani dhe rreth 80 në qarkun Fier. Fluturime me helikopter për hedhjen e ujit nga ajri ka pasur 93.

Mbi vënien në kontroll të flakëve, projeksionet e para ende pritet të bëhen nga specialistët.

Reagojnë emergjencat civile

Kreu i Emergjencave Civile në Shqipëri, Haki Çako, ka dalë në një deklaratë për mediat të hënën e 2 gushtit, duke bërë me dije se në mbrëmje pritet të mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile.

Vatrat e zjarrit janë në një betejë gati 10-ditore, mes përpjekjeve të autoriteteve për t’i vënë nën kontroll dhe rindezjes nga faktori i erës.

Zjarri nuk ka kursyer as Gjirokastrën dhe Divjakën në fillim të kësaj jave, bashkangjitur vatrave të Vlorës, ku ka qenë dhe vëmendja më e madhe e strukturave qendrore dhe vendore, për shkak të afërsisë së Karaburunit me Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Në vijim të fjalës, Çako tha se qarqet më problematike mbeten ato të Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit.

Për kreun e Emergjencave Civile, situata më e ngarkuar paraqitet ende ajo e Vlorës, në pjesën e Karaburunit dhe fshatit Dukat.

Zyrtari u bëri thirrje të gjitha strukturave që të mbeten të angazhuara.

Kreu i Emergjencave bëri me dije se një vlerësim i plotë do të bëhet pas finalizimit të operacionit.

Reagimi i presidentit Ilir Meta

Mbrëmjen e 2 gushtit ka ardhur dhe reagimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka deklaruar se prej ditësh po e ndjek me shumë shqetësim situatën alarmante, sipas tij, të përhapjes së zjarreve.

“Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë”, shkruante Meta në median sociale Facebook.

Më tej, presidenti vlerësoi sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, ai ka konstatuar se situata “po precipiton shumë rrezikshëm”.

Ai ravijëzon se ka aktualisht mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë. Për një pjesë të tyre, sipas tij, kërkohet organizimi “i operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”.

“Është e patolerueshme”, ka thënë Meta, “që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore”.

Presidenti inkurajon për domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri.

Kjo, për të pasur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike.

Kreu i Shtetit i bëri apel Haki Çakos, drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë, për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit.

Reagimi i kryeministrit Rama

Nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se, “angazhimi disaditor për shuarjen e zjarreve në Karaburun e jo vetëm, meriton respekt e inkurajim”.

Kjo në një kohë, kur shumë vende “po përballen me kërcënimin e zjarreve”, ka thënë ai.

Rama ka përshëndetur Forcat e Ushtrisë dhe trupat Rangers në terren për punën në parandalimin e flakëve të zjarrit në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Gjithashtu, ai ka publikuar dhe videon mbi operacionet e vënies nën kontroll të zjarreve.

KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) paralajmëroi nisjen e një kontrolli në terren ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve.

Këto kontrolle kanë ardhur me urdhër të kryetarit, Arben Shehu. Inspektorët e KLSH-së kanë zbritur në të gjitha qytetet problematike, përfshirë Vlorën dhe Fierin, ku situata paraqitet më e rëndë.

Kontrolli do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve. Kjo, duke nisur nga përdorimi i pajisjeve si dhe ana organizative.

Gjithashtu, KLSH-ja do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve. Po ashtu, edhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore