Sport

Zbardhet agjenda e klubit të xhudos në Olimpiadën “Tokyo 2020”, për AP-në flet Tabaku


Ekipi kombëtar i Kosovës në Xhudo, sot më 14 korrik, udhëton drejt Tokyo-s në përgatitje për Tokyo 2020.

Aty, ata do të kryejnë përgatitje dhjetëditore para fillimit të garave të mëdha.

Federata e Xhudos merr pjesë në këtë olimpiadë me pesë garues, të gjithë të kualifikuar me normë olimpike.

Ata janë:

Distria Krasniqi – kategoria 48 kg.

Majlinda Kelmendi – kategoria 52 kg.

Nora Gjakova – kategoria 57 kg.

Loriana Kuka – kategoria 78 kg.

Akil Gjakova – kategoria 73 kg.

Asistenti i trajnerit Driton Kuka, Fatos Tabaku, për Albanian Post ka treguar mbi agjendën e klubit në Tokyo.

“Të mërkurën, ekipi dhe trajneri arrijnë në Tokyo”, thotë Tabaku, “ku do të qëndrojnë dhjetë ditë, deri te ceremonia zyrtare, në mënyrë që ta ambientohen me kohën, klimën dhe vendin”.

Në vijim, shprehet ai, shpresat për këtë Olimpiadë janë të mëdha. “Të gjithë janë me gjasë për medalje”.

Megjithatë, “në Olimpiadë, pesha e garës dhe përgjegjësia e prezantimit të shtetit, janë shumë të mëdha, konkurrenca është tmerrësisht e fortë”.

“Pra”, vazhdon ai, “vetëm një medalje do të ishte sukses i madh, mos të flasim për më shumë”.

Federata e Xhudos është e vetmja që kësaj Olimpiade nuk po i drejtohet për turizëm, por për sukses, shton Tabaku.

“Jemi e vetmja federatë në Kosovë me pesë norma të fituara”, u shpreh ai.

“Kjo vjen në dallim prej federatave të tjera, që atje do të shkojnë për turizëm”.

“Nga kjo listë përjashtohet vetëm një sportist nga sporti i mundjes, i cili po ashtu ka arritur të fitojë normën olimpike”.

Në fund, ai jep dhe një premtim për të gjithë, që klubi i xhudos do të japë maksimumin, në mënyrë që flamurin e Kosovës ta ngrejë përsëri në podiumet olimpike. Pas Rio-s, tani në Tokyo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore