Sport

Xavi: Njerëzit do të befasohen nga Katari, kur të organizojë Kupën e Botës


Ish mesfushori legjendar i Barcelona-s dhe Kombëtares së Spanjës, Xavi Hernandez-i, ka folur rreth organizimit të Kupës së Botës nga Katari në 2022. Momentalisht Xavi është në Katar, ku drejton klubin e Al Sadd-it. Ekipit nga kryeqyteti, Doha.

Katari do të organizojë Kupën e Botës, që do të mbahet nga 21 nëntori deri në 18 dhjetor. Tekniku Xavi ka folur rreth situatës së përgjithëshme.

“Unë mendoj se orari i turneut është një avantazh i madh, si për lojtarët ashtu dhe për tifozët”.

“Historikisht, Kupat e Botës janë luajtur në fund të sezonit, kur shumica e lojtarëve ishin të lodhur fizikisht dhe mendërsisht”.

“Në 2022, ata do të jenë në formën më të mirë të mundshme dhe kjo është një avantazh për të gjithë”.

“Një pikë tjetër është se Katari është vend i vogël, kështu që lojtarët vështirë se do u duhet të udhëtojnë gjatë. Ata do të qëndrojnë në të njëjtin hotel gjatë gjithë turneut”.

“Nuk do të jetë si herët e kaluara, gjë që unë mendoj se është avantazh i madh për lojtarët dhe natyrisht edhe për tifozët”.

“Do të jeni në gjendje të shikoni dy ndeshje brenda një dite, që do të thotë se do të kemi një Kupë Bote historike”.

“Nuk kam asnjë dyshim që njerëzit do të befasohen për mirë, kur të vijnë në Katar dhe të provojnë atë çka vendi u ofron”, përfundoi Xavi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore