Lajme

Vuçiç do të padisë veten


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë dhënë për Radiotelevizionin e Serbisë, ka thënë se do të ngrejë akuzë në prokurori kundër vetes, më 2 gusht.

Ai njoftoi se edhe Ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, do të bëjë të njëjtën gjë dhe se kjo do të jetë përgjigja e tyre ndaj akuzave në media që akuzojnë se ai dhe Vulin kanë bashkëpunuar me klanin kriminal të Belivuk-Milljkoviç.

Vuçiç tha se raporti do të dorëzohet në emër të tij dhe Vulin nga një prej bashkëpunëtorëve të tyre.

“Ne kemi marrë vendimin, nesër do të paraqesim kallëzim penal dhe jemi gati të përgjigjemi. Unë jam gati të poshtëroj veten dhe të shkoj në poligrafi,” tha Vuçiç në RTS.

Zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar në Beograd ngriti një aktakuzë kundër Veljko Belivuk dhe grupit të tij të premten, më 30 Korrik.

Aktakuza përfshiu 31 të pandehur dhe iu dorëzua Departamentit Special të Gjykatës së Lartë në Beograd për konfirmim. Detajet e aktakuzës ende nuk dihen.

Grupi i Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç, dyshohen për vrasje, torturë, dëmtim të pronës publike, kidnapime, dhe trafikim droge.

Gazetarët investigativë në Serbi raportuan se Belivuk dhe disa anëtarë të grupit të tij thuhet të kenë thënë gjatë seancës gjyqësore se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë ministrin Vulin, “ju kanë kërkuar shumë shërbime” nga kontrollimi i tribunave e deri në shtypjen e disa protestave antiqeveritare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndër të tjera në këtë intervistë dhënë për RTS-në, pasi po këtë të diele ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç tha se FBI-ja ka grumbulluar informacione dhe i ka dërguar informacione shërbimeve të inteligjencës serbe tha se “FBI-ja s’ka bërë asgjë në rastin e Belivuk-Millkoviç”, duke e (për)gënjeshtruar ministrin e tij.

Presidenti i Serbisë për hetimin dhe arrestimin e grupit kriminal të Veljko Belivuk dhe Marko Milljkovic, i ka lavdëruar policinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe.

“Nuka ka kurrëçfarë përfshirje të FBI-së në rastin e Belivuk. FBI nuk na jep neve asgjë. Në këtë rast kanë punuar vetëm policia jonë dhe BIA”.

Vuçiç në RTS tha se për një muaj apo dy, shteti ka qenë në gjendje ti ndjek liderët e këtij grupi kriminal duke ju falënderuar “heroizmit të policëve tanë dhe BIA-s”.

“Njerëzit e dinë kush po lufton kundër mafias dhe kush u rri në qafë atyre”.

Ai tha se që nga ky vit s’ka më mafia në Serbi, përkundër disa vendeve të tjera ”që na mbajnë neve leksione për sundim të ligjit”.

“Në vende të tyre, ata vrasin gazetarë dhe ata që luftojnë krimin e korrupsionit”.

Ndërsa krejtësisht të kundërtën ka deklaruar ministri serb i Mbrotjtes mëngjesin e së dielës.

“Hetimi kundër grupit kriminal të Veljko Belivuk ka filluar në kohën kur isha ushtrues i detyrës së minstrit të Brendshëm, dhe qartazi momenti kyç i hetimeve erdhi kur FBI-ja e theu ato inkriptime, inkriptime të cilat lidhnin të gjithë ata që përdornin aplikacionin Sky, që u dolën në ball këtyre që abuzojnë me teknologji. Informacioni që FBI ka ndarë me shërbimet e inteligjencave evropiane dhe serbe ka ndihmuar në mbledhjen e dëshmive dhe ngritjen e aktakuzave ndaj këtij grupi kriminal”.

Ministri Stefanoviç, i cili është përfolur së bashku me emrat si ai presidentittë Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe Ministrit të Policisë, Aleksandër Vulin, ka thënë se nuk do të lejojë të bëhet shënjestër e askujt për shpifje e fabrikime, të cilat janë në interes të tyre.

Të dielën partia serbe për Liri dhe Drejtësi (SSP) i ka bërë thirje zyrës së prokurorisë publike në Serbi që me urgjencë të hetojë të gjitha akuzat nga dëshmitë e Veljko Belivuk dhe Marko Milljkoviç, për bashkëpunimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ministrin e Brendshëm. Aleksandër Vulin.

Kjo parti i ka drejtuar pyetjen prokurorise se pse deklaratat e Belivuk dhe Miljkoviç nuk janë “burim i besueshëm” për prokurorinë nëse, sipas tyre, pretendimet e Darko Sariçit në vitin 2014 për lidhjet midis drejtuesve të atëhershëm të policisë dhe klanit të tij ishin “aq të besueshme sa që edhe Ministria e Punëve të Brendshme formoi një grupi të posaçëm punues për ta hetuar atë, me insistimin e prokurorit special për krim të organizuar”.

Ata paralajmëruan prokurorët kompetentë se “nëse nga mosveprimi ata mundësojnë mosndëshkimin e individëve që u ofruan mbështetje politike klanit të Belivuk, të gjithë do të mbajnë përgjegjësi së bashku me ta.”

“Prokurorët kanë një përgjegjësi dhe detyrim ligjor për të mbrojtur qytetarët e Serbisë nga kriminelët, gjë që ata nuk e kanë bërë deri më tani, por anasjelltas, ata kanë mbrojtur dhe mbështetur kështu kriminelët,” tha Partia për Liri dhe Drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore